Nënkryetarja e Bashkisë së Korçës, Benila Terova tha se gjithçka është e mbyllur dhe Goran Bregoviq do të performojë në Festën së Birrës në Korçë.
Terova tha poashtu se këngëtari serb ka konfirmuar pjesëmarrjen dhe do të këndojë në ditën e fundit të festivalit më 22 gusht. Ajo tha se këngëtarë nga Kosova kanë anuluar pjesëmarrjen shkaku i kërcënimeve të siç i ka quajtur ajo nga grupe nacionaliste.
Festa e Birrës që organizohet tash e 15 vjet në qytetin e Korçës këtë vit do të mbahet për katër ditë nga 18 deri më 22 gusht. Bashkia e Korçës ka ftuar këngëtarin serb, Goran Bregoviq që të performojë dhe i njëjti do ta mbyll festën në ditën e fundit.
Këngëtarë të shumtë dhe figura publike kanë reaguar ashpër duke e kundërshtuar ftesën që Bashkia e Korçës i ka bërë këngëtarit serb. Madje disa nga ta edhe kanë anuluar pjesëmarrjen siç është reperi Capital T.
Por përkundër këtyre reagimeve, Bashkia e Korçës nuk e ka ndërmend që të anuloj pjesëmarrjen e Bregoviq në Festën e Birrës.
Këtë e ka konfirmuar për Gazetën Express, nënkryetarja e Bashkisë, Benila Terova.
“Ne nuk e tërheqim pjesëmarrjen e Bregoviq nga Festa e Birrës sepse refuzojmë të pozicionohemi politikisht në këtë debat. Nuk ka asnjë qasje politike pjesëmarrja e një këngëtari lindur në Sarajevë dhe që në njohurinë tonë para se ta kontaktonim për ta pasë pjesë dhe e kemi të saktë nuk ka pasur asnjë lloj pozicionimi as kundër shqiptarëve as kundër kosovarëve”, ka thënë ajo.
Nënkryetarja e Bashkisë së Korçës ka komentuar edhe këngën “Kallashnikov” që ka shërbyer si frymëzim për paramilitarët serbë për të kryer krime në Kosovë, duke thënë se ajo këngë është kompozuar shumë më herët se koha e luftës.
“Kënga “Kallashnikov” është përdorur mbase nga paramilitarët serbë por është kompozuar dhe është krijuar nga Bregoviq shumë më përpara kohës së luftës, kështu që ne nuk e tërheqim pjesëmarrjen e Bregoviq-in nga Festa e Birrës”, tha Terova për Gazetën Express të premten.
Nënkryetarja Terova tha se Bregoviq u ka konfirmuar pjesëmarrjen dhe gjithçka është e mbyllur.
“Ai na ka konfirmuar pjesëmarrjen, ne kemi angazhuar një agjenci eventesh, janë prerë biletat, Bregoviq është pjesë e një turi në Evropë vjen nga Kana ku ka koncertin, tek ne pastaj ka tre koncerte në Poloni për të kulmuar me një koncert në Moskë. Kështu që është mbyllur gjithçka për Bregoviq janë mbyllur kontrata, janë prerë bileta avioni sepse ai vjen nga Franca sëbashku me orkestrën. Ai do të performojë ditën e fundit të Festës”, tha ajo.
Terova tutje ka thënë se Elita 5 dhe Dren Abazi ishin planifikuar që të jenë warm-up i Bregoviq, por që janë detyruar të tërhiqen për siç ka thënë ajo, kërcënimet që kanë marrë.
“Ne e çelim festën me Elita 5, janë këngëtarë nga Kosova, Shqipëria, kemi një grup nigerian një nga Brazili, festivali ka 15 vjet që organizohet dhe qëllimi është promovimi i respektimit të diversitit kulturor dhe etnik. Bregoviq ka dy banda muzikore shqiptare që do të bëjnë warm-up e tij, ka qenë Dren Abazi i cili kërkoi vet që të ishte ëarm-up i Bregoviqit, madje Dreni që është një çun shumë i mirë dhe ka qenë njëri nga të dëbuarit e luftës së Kosovës që është strehuar në Korçë dhe ne kemi një miqësi shumë të madhe. Ai më ka kërkuar sepse kam njohje personale me të që të ishte warm-up i Bregoviqit e ka bërë edhe në dy koncerte tjera falas, pa pagesë dhe vetëm orkestrantët e Drenit do të paguheshin dhe e kishim mbyllur, nata e fundit do të jetë Dren Abazi nga Kosova dhe Bregoviq ky ishte kombinimi i natës së fundit, por Dreni ka marrë kërcënime të frikshme nga këto grupet nacionaliste, e kanë kërcënuar me vrasje me varje dhe gjynah një djalë i ri, ai më tha se ndjehet i turpëruar nga reagimi i vëllezërve të mij kosovarë. Dreni i detyruar nga kërcënimet që ka marrë e ka anuluar pjesëmarrjen, ndërkohë kishim konfirmuar Capital T nga Kosova, kishim mbyllur kontratën me Capital gjithashtu i kërcënuar, kemi pasur Dafina Zeqirin poashtu nga Kosova. Dreni më ka kontaktuar personalisht, dhe më ka thënë që bënë nder të madh dhe ndjehem i nderuar të bëjë ëarm-up e Bregoviq dhe ka marrë pastaj kërcënime të mëdha”, u shpreh nënkryetarja e Bashkisë së Korçës.
E pyetur nëse ka informacione se reperi Capital është kërcënuar, ajo tha se nuk e di saktë por është tërhequr.
“Po, është tërhequr, nuk e di, ne mbyllëm kontratën, pagesa në vlerë prej 9 mijë euro e Capital-it, por rrezikojnë nga sa kuptoj të humbasin koncertet dhe tregjet e tyre në Kosovë kjo ka qenë arsyeja. Warm-up i Bregoviq do të jetë një bandë e etno-jazz shqiptar, Hot Club Tirana të cilët janë muzikantë të shkëlqyer dhe ata do të bëjnë ëarm-up e Bregoviq”, tha ajo.
“Nga Kosova kemi grupin “NA”. Elita 5 nga Tetova kanë shprehur kënaqësinë dhe thanë që vijmë me kënaqësi të madhe për ta parë dhe takuar Bregoviq, por edhe ata kanë të njëjtin problem sepse ne u kërkuam të jenë ëarm-up sepse qëllimi i Bashkisë së Korçës jashtë politikës është që të japim mesazhin sikundër kryeministri serb ka pritur me nderime Inva Mulën që e ka babain e vet kosovar e ka pritur në selinë e tij dhe ka dhënë koncert në Serbi thamë të japim këtë mesazhin e mirë të bashkëpunimit dhe arti s’ka asnjë lidhje me politikën, por Elita 5 përsëri më thanë aman Benila se humbasim tregun e punës në Kosovë përshkak të kësaj fryme që është hapur nga grupet nacionaliste. Mu kujtua ajo shprehja që nuk e di se cili nga patriotët shqiptarë që nacionalizmi është streha e fundit e maskarenjëve dhe budallenjëve dhe domethënë asnjë qëndrim në ekstrem nuk i bën mirë asnjë populli dhe asnjë kombi. Ne kemi pasur një bashkëpunim të shkëlqyer me grupet të ndryshme, këngëtarë grekë, këngëtarë nga Holanda, e kemi pasur kitaristin e Guns N Roses, por për muzikantë s’kemi parë kurrë këtë gjë kështu”, shtoi ajo.
Terova u shpreh se Bregoviqin kanë tentuar që ta marrin edhe një herë tjetër por që datat kanë qenë të pamundura të realizohen.
“Madje, Bregun(Bregoviqin) e kemi tentuar edhe njëherë tjetër por nuk kanë qenë datat e mundshme. Ai ka qenë në vitin 2006 në Tiranë, që 2006 si datë ka qenë më afër luftës në Kosovë por tani mendoj që pjesa e faktorizimit të mediave sociale ku një status i dikujt ndikon. Mbaj mend që në vitin 2006 ka pasur një reagim, ai ka dhën dy koncerte shumë të sukeseshme si dhe ka marrë edhe çelësin nga Edi Rama që ka qenë në krye të Bashkisë. Tash lexoj që Bregoviq është non-grata në Poloni, Ambasadori polak i akredituar në Shqipëri, bashkë me stafin ka kërkuar bileta për Bregoviq, domethënë nuk mendoj që në shekullin 21 është kjo fryma që duhet të përcjelli”, tha ajo.
E pyetur nëse mendon se mund të ketë incidente, Terova tha se s’mendon se do të ketë incidente dhe se shqiptarët janë trima në llafe dhe Facebook por që në çdo rast do të ketë prezencë policore.
“Nuk mendoj që do të ketë ekcese, shqiptarët po të ishin kaq trima, në llafe dhe Facebook janë shumë, po në situatën e zjarreve që po e përfshinë Shqipërinë dhe që po i vënë vetë këta me dorën e tyre, nuk kanë forcën që të shuajnë zjarrin e shtëpisë nuk i bashkohen aty siç po bashkohen shumë artistë dhe individë zjarrfiksëve që po fikin zjarret në tërë Shqipërinë, plus do të ketë prezencë të madhe policore dhe nga sa di sa kam informacione, ky këngëtari, reperi Noizy që ka nxitur një lëvizje është bërë një denoncim sot në policinë në shtetit për të pasur një ndalim të tij se nuk mund të kërcënojë ai ngrihuni dhe t’i biem me shishe të mbushura kujtdo qoftë. Di që do të kishte një reagim të policisë së shtetit për këcënimin e hapur që ka bërë Noizy, besoj edhe për Tifozët KuqeZi sepse çdo kërcënim përbën vepër penale dhe mendoj që si përfaqësuese e institucionit mendoj se duhet të ndjehemi të turpëruar nëse një gjë e tillë do të ndodh”, ka thënë Terova.