Trajneri Tahir Batatina ka thënë pas ndeshjes së humbur me Gjilanin në shtëpi të mërkurën, se Llapi mund ta përmbys rezultatin nga ndeshja e parë.
Gjilani fitoi me rezultatin 2:1.
“Mendoj që e nisëm keq takimin. Filluam me rezultat 1:0 për kundërshtarin, pranuam gol të lehtë. Nuk duhej ta pranonim atë gol. Dy shanse, dy gola. Ne bëmë maksimumin si skuadër, si ekip. Shënuam golin e parë. Patëm mundësi të shënonim golin e dytë e të fitores. Bëmë gjithçka.
Iniciativa ka qenë te ana jonë. Dominuam kundërshtarin, vetëm goli na mungoi për ta fituar takimin. Nganjëherë jep gjithçka, por nuk e fiton takimin. Ne nuk i shfrytëzuam rastet tona që i kishim. Do të mendojmë për ndeshjen e radhës. Është rezultat që mund të përmbyset. Do të shkojmë ta bëjmë maksimumin”, tha Batatina.