Tahir Batatina ka paralajmëruar “kthimin e fuqishëm” të Llapit pas fitores së arritur në ndeshjen derbi të javës së tetë të Superligës së Kosovës në futboll.
Llapi fitoi 1:0 në Gjilan ndeshjen e luajtur të shtunën. Ishte fitorja e dytë e Llapit në tetë ndeshje të zhvilluara.
“Kemi pasur fatin që nuk kemi luajtur në mesjavë, ndërsa Gjilani pati derbin ndaj Dritës. Kemi qenë të favorizuar në këtë aspekt, por unë them se çdo ekipi, çdo trajneri i duhet kohë kur bën ndryshime në ekip. Llapi ka stabilitet në çdo aspekt dhe nuk i mungon asnjëherë durimi. Më mirë është për një ekip ta kalojë krizën në fillim sesa në fund të kampionatit.
Do të na shërbejë për të mirë ky pushim dhe nëse arrijmë të marrim sa më shumë pikë në tri ndeshjet e ardhshme, atëherë Llapi do të jetë pjesë e katërshes së parë. E rëndësishme është që fituam pikët e plota. Nuk jemi dorëzuar asnjëherë dhe nuk do të dorëzohemi. Në futboll duhet të kesh durim”, ka thënë Batatina pas fitores në Gjilan./Koha.net/