Bayern Munich e ka mundur Borussia Dortmundin në ndeshjen e Superkupës së Gjermanisë me rezultat 3-2.
Ndeshja ishte e bukur me raste dhe gola, ku në fund bavarezët morën triumfin e radhës.
Francezi Tolisso nuk gaboi në tentimin e dytë dhe u gjend në vendin e duhur në kohën e duhur për të tundur rrjetën për 1-0 në minutën e 18-të të ndeshjes.
Bayern nuk u ndal dhe në minutën e 32-të e gjeti edhe golin e dytë. Alphonso Davies e gjen bukur në zonë me një harkim Thomas Muller i cili me kokë shënon për 2-0.
Por Borussia u kthye shpejt në lojë. Julian Brandt pranon një top në zonë dhe me një goditje të fuqishme shënon për 2-1.
Pjesa e dytë nisi mirë për Dortmundin. Në minutën e 55-të barazohet rezultati në 2-2. Erling Haaland mori një pasim të bukur nga Thomas Delaney, u fut në zonë dhe shënoi për të barazuar shifrat.
Bayern kur ka mundësi nuk fal. I tillë ishte edhe rasti në minutën e 82-të kur Josua Kimmich u fut në zonë, gjuan bukur por portieri mbron, por me goditjen e dytë edhe pse nga një pozitë e vështirë arriti të gjejë golin për 3-2.
Deri në fund gola më nuk kishte, duke bërë që Bayern Munich të fitojë Superkupën e Gjermanisë.