Presidenti i Këshillit Evropian, Donalt Tusk, ka paralajmëruar se tregu i teknologjisë së BE’së rrezikohet nga kompanitë gjigande si Google, Apple, Facebook dhe Amazon, po aq sa rrezikohet nga kompanitë kineze.
“Në lindje, ne shohim tendencat e këtyre kompanive për t’i kontrolluar sjelljet e njerëzve, dhe në perëndim ne kemi parë rritjen e pakontrollueshme të perandorive teknologjike” tha Tusk, gjatë festimit të ditës së kushtetutës polake në Varshavë, raporton Reuters, transmeton Gazeta Express.
“Fëmijët tanë janë të varur nga interneti dhe çdo ditë e më shumë po bëhet e pamundur që të largohet kjo varësi” shtoi ai.
Bashkimi Evropian kohëve të fundit ka rritur përpjekjet për ta kontrolluar mënyrën se si kompanitë e mediave sociale, i ruajnë të dhënat personale të konsumatorëve.
E këtë e ka bërë përmes rregullave të reja që u miratuan vitin e kaluar në Parlamentin Evropian, duke i vendosur gjoba për gjigandët teknologjik që i kanë keqpërdorur të dhënat e konsumatorëve. Këto gjoba madje ishin aq të larta, sa një kompani mund të gjobitet me 4% të të gjithë kapitalit të tyre.