Insajderi
Lajme

Bekim Sejdiu del me një qëndrim të gjatë pas insistimit të VV’së se mund ta bindin për president

Insajderi
06 October 2026 - 17:54
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
Bekim Sejdiu del me një qëndrim të gjatë pas insistimit të VV’së se mund ta bindin për president
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Bekim Sejdiu, emri i të cilit është përmendur sërish si kandidat për president të Kosovës, ka sqaruar se nuk është pjesë e procesit të zgjedhjes së presidentit.

Sejdiu ka bërë të ditur se më 14 shtator kishte njoftuar tërheqjen e tij nga procesi, për shkak të pamundësisë së arritjes së marrëveshjes mes LDK-së dhe LVV-së, dy partive që e kishin propozuar dhe mbështetur kandidaturën e tij, shkruan Insajderi.

“Kam njoftuar krerët e LDK-së dhe Kryeministrin Kurti se unë nuk e konsideroj veten pjesë të procesit të zgjedhjes së Presidentit, për arsye të mos arritjes së një marrëveshjeje politike dhe mungesës së përkrahjes së nevojshme në Kuvend”, ka shkruar Sejdiu.

Ai ka thënë se motivi i vetëm për pranimin e kandidaturës kishte qenë interesi i vendit dhe përpjekja për të ndihmuar në tejkalimin e krizës institucionale.

Sejdiu ka treguar se ditëve të fundit ka qenë në komunikim me krerët e LDK-së, pasi kjo parti fillimisht ia kishte ofruar postin e presidentit në fillim të shtatorit.

Ai ka falënderuar kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, dhe kryeministrin, Albin Kurti, për, siç u shpreh ai, besimin dhe komunikimin korrekt, ndërsa ka shprehur mirënjohje edhe për politikanë të partive të tjera që kanë vlerësuar kandidaturën e tij.

Në fund, Sejdiu ka shprehur shqetësimin për situatën aktuale politike në vend.

“Nuk mund të përmbyll këtë postim pa shprehur dhimbjen time personale për ankthin dhe zhgënjimin që po përjeton Republika e Kosovës dhe qytetarët e saj. Le të jenë këto momente reflektimi për të gjithë, përtej inateve të ngushta dhe interesave personale”, ka shkruar ai. /Insajderi.org/


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark