Karim Benzema nuk do të mbetet jashtë Evropianit 2020. Lëndimi i pësuar në miqësoren me Bullgarinë, të martën mbrëma, nuk është aq serioz saqë t’ia pamundësojë atij pjesëmarrjen në kampionatin më të fortë të futbollit të kontinentit të vjetër, që nis më 11 qershor.
Kështu u konfirmua të mërkurën nga shtabi i trekolorëve.
Ai pritet të kthehet në skuadrën franceze pas dy-tre ditëve, derisa t’i relaksohet muskuli që iu lëndua pas një goditje që mori gjatë lojës me bullgarët.
Trajneri i “Le Blues”, Didier Deschampes tha se goditja e fortë që mori Benzema, për fat të mirë, nuk shkaktoi ndonjë lëndim të rëndë.
Sulmuesi i Realit të Madridit u thirr në kombëtaren franceze pas gjashtë vjet refuzimi që iu bë nga federata e futbollit të këtij vendi.