×
  • Op-Ed
  • Op-Ed

    Beograd-Prishtinë

    Insajderi
    22 September 2020 - 13:14
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Perceptimi që i bëhet Ballkanit si popuj problematik, por edhe si të paaftë është etiketim i gabuar pasi një gjë të tillë ua pamundëson politika. Shumë Ballkanas duan ndryshime dhe ata ndonjëherë edhe protestojnë për këtë, por nuk ia dalin në krye të demokracisë. Hendeku mes popujve është I madh, por realiteti nuk është aq i rënd sa paraqitet. Lufta e vërtetë e shumicës është ekzistenca dhe pamundësia për tu liruar nga prangat kurthuese të tranzicionit

    Nëse shqiptarët dhe serbët kanë qeshur me një lajm të përbashkët, për kundër respektit ndaj Amerikës, ka qenë deklarata e para disa ditësh e presidentit, Donald Trump, në të cilën ai gjatë një fushate parazgjedhore paska thënë se me marrëveshjen e arritur në Uashington paska ndaluar vrasjet e qindra njerëzve në Kosovë dhe Serbi. Ndoshta arsyeja është se megjithatë shumica e dinë se vrasjet më nuk janë duke ndodhur. Shqiptarët dhe serbët në histori kanë një konflikt të gjatë politik dhe bëhet fjalë kryesisht për luftë territoriale dhe kontroll në Ballkan. Shqiptarët nuk kanë bërë luftëra me popujt tjerë të paktën jo prej 100 vitesh. Lufta e Kosovës dihet si histori dhe se si ka përfunduar. Ka lënë prapa mbi 13 mijë viktima. Natyrisht se shqiptarët dhe serbët shpesh i ndanë e vërteta rreth luftës dhe pranimi i fakteve të asaj që ka ndodhur.

    Por, viteve të fundit pas të gjitha konflikteve në terren të prodhuara edhe gjatë vet bisedimeve për normalizim, tensionet kanë rënë dukshëm dhe janë shumë të rralla sidomos vitin e fundit. Në Serbi jetojnë mijëra shqiptarë, një pjesë e tyre në qytetet me shumicë shqiptare, por edhe mijëra të tjerë në Beograd e Vojvodinë, por edhe në qytet e tjera. Në Kosovë po ashtu. Dallon pak qëndrimi i serbëve në jug dhe në veri pasi këta të fundit jetojnë më të ndarë prej shumicës shqiptare. Shembull një i ri nga Leposaviqi nuk do të thotë se në jetë takon shqiptarë nëse nuk graviton kurrë nga jugu. Por, këto raste janë më të rralla. Për dikë në Graçanicë shembull kjo është normale. Kështu është edhe me shqiptarët e Preshevës, ndonëse këtu rastet janë më të rralla përveç faktit që preshevarët nuk flasin shumë serbisht në krahasim me ata në Bujanoc. Natyrisht nëse heqim pjesën politike shumica e njerëzve në Ballkan nuk kanë konflikte në mes të njeri-tjetrit edhe pse kjo kështu nuk duket nëpër shumicën e mediave. Por, nëse ta zëmë një shqiptarë, serb, maqedonas apo boshnjak rrinë bashkë, shumica vijnë në konkluzione të njëjta: problemet politike, stagnimi shoqërorë, privatizimi i dëmshëm, korrupsioni, sistemi i dobët shëndetësorë, nxitja nga ana e politikës dhe politikat e pabesueshme shpesh jo shumë të artikuluara me vëmendje. Shumica e tyre nuk besojnë se ndryshimi është shumë i mundshëm pasi gjithnjë nisen prej idesë se politikat në vendet e tyre nuk e lejojnë një gjë të tillë. Për gjithçka të duhet lidhje, siç do të thoshte dikush në kohën e pandemisë së virusit korona “lidhje nuk të duhet vetëm për të vdekur”.

    Natyrisht se ka shumë necionalizma të bazuara kryesisht në intriga politike dhe një vijë “zhvillimore” më e lehtë për tu ndjekur. Dhe, gjërat rrjedhimisht nuk janë shumë të qëndrueshme dhe janë të brishta. Por, interesim për të bërë konflikte të thella nuk kanë as serbët dhe as shqiptarët. Por, mos zgjidhja përfundimtare e statusit të Kosovës ndikon dukshëm në tërë Ballkanin dhe në mundësine e vazhdimit të një gjendje të tensionuar dhe krijon bllokadë zhvillimore për të dyja vendet pavarësisht shkëndijave të imëta që ndonjëherë ekzistojnë, por jo shumë kompani të mëdha serioze veprojnë në këto anë pikërisht si pasojë e statusit publik që kanë vendet në konflikt. Kjo situatë krijon në të njëjtën kohë një luftë për ekzistencë dhe shpesh herë diskursi publik nuk është tolerant as ndaj bashkëpunimeve ndër etnike, por nuk është tolerant as ndaj kritikave të mundshme ndaj pushtetit. Natyrisht se normalizimi as mes njerëzve nuk mund të jetë një rregull, por është në baza individuale pasi kompromisi politik dhe koncensusi për fqinjësi të mirë nuk ekziston. Por, kjo kryesisht vjen nga politika që e mbanë gjallë luftën publike. Por, jo edhe atë në terren. Këtu askush nuk është kundër ndryshimeve qoftë me kombet tjera qoftë për vet brenda shteteve dhe nuk është një realitet i paraqitur për njëri-tjetrin as në media e as në deklarimet publike të fjalimeve populiste pasi politika më e lehtë është nacionalizmi. Por, ajo që Ballkanin e pengon të bëjë progres është politika e atyre që në shoqëri të varura nga buxhetet e hirta dhe ato të shtetit në secilin vend pasi opinion ndjek një diskurs të krijuar nga patronët e skenës. Dhe, jo një hulumtim ose prezantim në bazë të fakteve të verifikuara mirë në terren. Shqiptarët dhe serbët vazhdojnë komunikimin e tyre përmes ekonomisë edhe pa shumë ndërhyrje ndërkombëtare dhe e vazhdojnë tregtinë në të bardhën ose në të zezën.

    Ata vazhdojnë të qarkullojnë dhe këtë, përkundër mungesës së trenit apo avionit, e bëjnë të paktën gjashtë linja autobusi në ditë në drejtimet Prishtinë-Beograd. Por, përse ideja është e tillë është mungesa e pranueshmërisë publike për të folur për njerëz të tjerë dhe jo për figurat markante të kësaj nëntoke politike prej dekadash. Natyrisht se shqiptarët presin një kërkim falje për luftën, natyrisht se serbët një pjesë e madhe mendojnë se Kosova është Serbi, natyrisht se kanë ndodhur krime, ka ende të zhdukur, natyrisht se ka propagandë dhe se për të tjerët flitet vetëm armiqësisht dhe në mënyrë pezhorative. Por, ka edhe të tillë madje mjaft shumë që mendojnë mirë. Nëse një shqiptarë nuk më beson se në Beograd shoh shpesh edhe targa të Shqipërisë me shqiponjën kuq e zi apo targa të Kosovës, shumë serb nuk besojnë se në Kosovë me targa serbe në makinë nuk të ndodh asgjë dhe se shqiptarët janë të egër. Unë them që shumë prej realiteteve nuk qëndrojnë. Dhe, se problemi më nuk është të vrasjet mes popujsh dhe qytetarësh civil të etnive të ndryshme, por tek evitimi i politikës për tu përballur me realitetin, shpesh duke bërë linçim publik të atyre që paraqesin një realitet tjetër prej atij zyrtarë. Dhe, bashkësisë ndërkombëtare për ta lejuar dhe promovuar atë. E vetmja luftë, jashtë politikës, mes dy popujve është ajo për ekzistencë dhe mungesa e politikës dalëse nga kjo situatë.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark