Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës (KMShK) ka shpallur të patrajtueshme ankesën e Bergita Nikaj-Currit ndaj Gazetës Insajderi, lidhur me artikullin hulumtues të 17 tetorit 2025, në të cilin zbulohej pasuria e saj, pozitat e shumëfishta dhe hetimet ndaj saj nga Prokuroria.
Në vendimin e KMShK-së thuhet se Insajderi ka bërë përmirësimet e nevojshme brenda tekstit, ndërsa Këshilli nuk ka kompetencë të urdhërojë median të publikojë një shkrim të veçantë siç kërkonte ankuesja. Për këtë arsye, ankesa është shpallur e patrajtuar.
Çfarë pretendoi Bergita Curri?
Në ankesën e saj, Bergita Curri pretendonte se Insajderi kishte shkelur Kodin e Mediave të Shkruara, duke e cilësuar raportimin si “të pasaktë”, “manipulues” dhe “shpifës”.
Ajo madje pretendonte se hetimi i Prokurorisë “nuk ekziston”, duke akuzuar median se ka trilluar informacion.
Redaksia e Insajderit ka hedhur poshtë kategorikisht të gjitha pretendimet e saj, duke sqaruar se raportimi është i bazuar në dokumente zyrtare, përfshirë:
Konfirmimin me shkrim të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, ku thuhet qartë se rasti i saj është nën hetim dhe DHKEK është autorizuar të ndërmarrë veprime hetimore.
“Lidhur me pyetjen tuaj ju njoftojmë, se në rastin konkret, Prokuroria pasi ka analizuar informatën ka autorizuar Njësinë Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Prishtinë (DHKEK), për të ndërmarrë veprime hetimore për të zbardhur rastin konkret lidhur me informacionet – informata e pranuar nga Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit (APK), të datës 28.08.2024. Me datë 02.05.2025, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka pranuar raportin informues lidhur me veprimet e ndërmarra nga Policia e Kosovës – me numër DHKEK-P-204/2025. Tani jemi në fazën përfundimtare të vendosjes së këtij rasti.”, thuhej në përgjigjen e Prokurorisë Themelore të dërguar me datë, 22 korrik të këtij viti në adresën e gazetares së Insajderit.
Formularin e deklarimit të pasurisë të dorëzuar nga vetë Curri në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit.
Insajderi potencon se ekzistonte një lëshim teknik në leximin e një tabele të të hyrave të bashkëshortit, i cili është korrigjuar menjëherë, pa asnjë qëllim manipulues.
Në fakt, artikulli fillestar përmbante edhe linkun direkt të deklarimit të pasurisë, duke dëshmuar transparencë të plotë.
Refuzimi i saj për t’u përgjigjur pyetjeve të gazetës
Edhe pse ankohet për “mungesë etike”, Bergita Curri ka refuzuar të japë sqarime për gazetarët e Insajderit, të cilët e kanë kontaktuar zyrtarisht më 12 dhe 24 mars.
Ajo ka deklaruar se pyetjet lidhur me punësimet dhe pasurinë e saj “nuk janë me interes publik”, ndonëse mban pozita të rëndësishme në IML, Universitet dhe kompani private.
Lexo raportimet e Gazetës Insajderi për Nikaj-Currin: