×
  • Lajme
  • Lajme / Kosovë

    Berisha akuzon rëndë Besim Kelmendin: Qeveria po tenton ta rikthejë bashkëpunëtorin e Millosheviqit

    Insajderi
    14 August 2023 - 14:44
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Kanë kaluar tashmë një vit prej kur çështja e Kryeprokurorit të Shtetit është duke u sillur nëpër gjykata. Lidhur me këtë deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Hisen Berisha ka thënë se Qeveria e udhëhequr nga Kurti po e mban peng dekretimin e kryeprokurorit të shtetit.

    Sipas Berishës, qeveria ka tendencë ta rikthejë në skenë Besim Kelmendin, i cili pas përfundimit të mandatit të Aleksandër Lumezit, po i ushtron kompetencat e plota të kryeprokurorit të shtetit.

    Mes tjerash, Berisha ka thënë se Kelmendi ka qenë bashkëpunëtor i regjimit të Millosheviqit.

    “Është duke u kapur drejtësia, pastaj mbajtja peng e zgjedhjes së kryeprokurorit të shtetit, dhe tendenca për ta kthyer në skenë një emër të përveçëm e që është Besim Kelmendi e që për neve është i njohur, sepse ka bashkëpunuar me regjimin e Millosheviqit, dhe kjo është dukur shqetësuese të Kosovës”.

    Pak para luftës në Kosovë – Kelmendi ka punuar si bashkëpunëtor i gjyqtares serbe, Danica Marinkoviq. Megjithatë këto i kishte mohuar Kelmendi.

    Ai kishte thënë se nuk ka qenë asnjëherë bashkëpunëtor i gjyqtares famëkeqe serbe. Ka thënë se në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë, ka punuar vetëm në cilësinë e bashkëpunëtorit profesional.

    Që nga prilli i vitit të kaluar, Kosova është me ushtrues detyre të kryeprokurorit të shtetit, ndonëse për këtë pozitë Këshilli Prokurorial ka propozuar Blerim Isufajn.

    Për dekretimin ose jo të Isufajt, presidentja Vjosa Osmani akoma nuk ka vendosur.

    Monitorues të procesit e juristë thonë se është koha që presidentja të marrë një vendim në lidhje me propozimin për kryeprokuror shteti.

    Megjithatë, emri i Isufajt nuk është dekretuar nga Presidentja Osmani, që për këtë çështje nuk kanë kthyer përgjigje, por që në vazhdimësi kanë përsëritur pritjet e tyre për përfundimin e proceseve që janë pranë gjykatave, para një vendimi.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark