Një deklaratë e Vlera Gjakovës, aktiviste e Lëvizjes Vetëvendosje, ka bërë bujë dje në media. Sipas saj, ekziston një tunel nëntokësor që e lidh Shkupin me kampin amerikan Bondsteel në Ferizaj. Megjithatë, deklaratat konspiracioniste të Gjakovës nuk përfundojnë me kaq. Ajo mendon se Hëna është ndërtuar nga alienët, si dhe ka “prova” që pilotët lëshojnë kimikale në hapësira ajrore. Por, kush është ajo, në sytë e kryeministrit Kurti?
Gjakova u pati anëtarësuar në Lëvizjen Vetëvendosje më 2018-ën. Kryeministri Kurti atëherë thoshte se ajo do t’ia shtojë dijen dhe energjinë VV-së, shkruan Gazeta Insajderi.
“Vlera Gjakova sot na u bashkua në Lëvizjen VETËVENDOSJE!. Ajo vjen nga Shkupi ku shkollën fillore dhe të mesme i ka kryer në gjuhën shqipe, turke e maqedone dhe më pas atje i ka përfunduar edhe studimet universitare për gazetari e ekonomi. Tash në Selanik të Greqisë po studion për filozofi në universitetin shtetëror “Aristotelis”. Si aktiviste e të drejtave të njeriut dhe atyre civile, si feministe dhe publiciste, anëtarësimi i Vlera Gjakovës në Lëvizjen tonë na e shton energjinë dhe dijen për punët e aktivitetet që na presin drejt fitoreve të reja”, thoshte Kurti në njoftimin për anëtarësimin e Gjakovës në VV.
Anëtares së VV-së fillimisht iu besua një detyrë e rëndësishme më 2019-ën, kandidatura për deputete.
Kryeministri Kurti, atëbotë opozitar, përgjatë një fjalimi në Shkup thoshte se pjesëmarrja e Gjakovës në parlament ia shton vlerën Kuvendit të Kosovës.
“Duke qenë kështu, Vlera Gjakova është sa e Shkupit po aq sa është e Prishtinës dhe e Gjakovës. Vlera do t’i sjellë vlerë të shtuar jo vetëm Lëvizjes VETËVENDOSJE! por edhe parlamentit të Kosovës. Me Vlerën në parlament hallet e shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut bëhen halle të parlamentit të Kosovës”, deklaronte Kurti.
Ajo kishte dështuar të zgjidhet deputete, duke marrë vetëm 300 vota, respektivisht më së paku nga kandidatët e VV-së që vinin nga Gjakova.
Deklarimet e çuditshme të Gjakovës
Gjakova pati një sërë deklaratash konspirative. Një ndër to, ishte kinse pilotët po lëshojnë kimikale në hapësirat ajrore.
“Sipas studimeve të shumta të shumë mjekëve, në veçanti të shumë pilotëve që nuk janë pjesë më e aviacionit kanë faktikisht informacione të detajuara. Kam një video nga pilotët i cili faktikisht e tregon haptazi se si e vendos maskën dhe e lëshon kimikale të mundshme, pas asaj është arrestuar. Ka miqtë të tij që japin informacione. Para 20 viteve apo 30 viteve qielli ka qenë i pastër. Përse sot qielli nuk është i pastër? Nëse i shohim vijat e ndryshme që lëshohen nga ajri”, deklaronte ajo.
Kandidtaja për deputete e VV-së gjithashtu thoshte se alienët e kanë ndërtuar hënën.
“A ekziston hëna, a është planet apo është e ndërtuar nga alienët? Unë medoj që është e ndërtuar nga alienët për shumë arsye. Një ndër arsyet, hëna është një ndër planetët që ndikon në emocionet tona dhe alienët kanë ndërtuar këtë planet që të na kontrollojnë neve emocionalisht”, thoshte ajo. /Insajderi.org/