×
Show

Bie kostoja e Shën Valentinit – bizhuteri të lira për dashurinë

Insajderi
14 February 2017 - 20:40
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

Për “Shën Valentin” dhuratat janë të llojllojshme por në Prishtinë lista e tyre është e vogël. Insajderi ka biseduar me disa prej punëtorëve dhe drejtuesve të dyqaneve që vizitohen më së shumti për këtë festë. Dyqanet e bizhuterisë janë më të vizituarit.

Por shpenzimet nuk janë të larta. Krahasuar me vitet e kaluara, shitësit tregojnë se sivjet ka rënie të kostos së shpenzimeve për dhurata.

Qafore të thjeshta argjendi e çeliku, kryesisht më të qëndrueshme, janë dhuratat e preferuara të prishtinasve. Por megjithatë nuk mungojnë edhe unazat apo orët e dorës.

Për të dashurit, femrat kanë zgjedhur të dhurojnë kuleta apo rripa dore.

Orët e dorës përgjithësisht nuk janë marrë dhe aq, përkundrejt vitit të kaluar ku një prej përzgjedhjeve kryesore ka qenë ora, tregon shitësja nga “Forma”.

lule

Përgjithësisht dhuratat e zgjedhura nuk ishin dhe aq të kushtueshme, më të thjeshta dhe më të lira.

Pos aksesorëve, te butiku “Collezione” më shumë janë shitur këmishat pa dallim tek të dy gjinitë.

Në lulishtet “Labi”, “Red Flower”, “Say it with flowers”, si gjithmonë lule e parapëlqyer ka qenë trëndafili i kuq, si buqetë apo edhe si një i vetëm. Pos trëndafilit, më pak karafila e zambakë, por edhe orkide.

Një shitës në lulishten “Say it with flowers”, përderisa është ende i zënë duke rregulluar buqeta për klientët, thotë që çiftet e reja marrin më shumë lule të kuqe, ndërsa ata që kanë më shumë vite së bashku, kryesisht të martuarit, marrin buqeta me ngjyra të larmishme.

Me lule shkojnë dhe ëmbëlsirat në formë zemre tregon “Bake and Cake”, po edhe arushët prej pelushi ku nga dy gjinitë pa dallim janë marrë kryesisht më të mëdhenjtë.

Libraria “Dukagjini” tregon se ka pasur edhe interesim të madh për libra për më të dashurit, prej atyre me vargje dashurie si libra enkas për këso raste, tek romanet. Ndërsa tek romanet u iknin me qëllim titujve klishe të dashurisë dhe zgjidhnin autorë të preferuar të partnerit./Insajderi.com

OP-ED
Nga Rubrika

© 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Impressum

Kontakt

Trademark