Çmimi i naftës së papërpunuar ka pësuar një ulje si pasojë e kritikave të presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, në adresë të Organizatës së Vendeve Eksportuese…
Çmimi i naftës së papërpunuar ka pësuar një ulje si pasojë e kritikave të presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, në adresë të Organizatës së Vendeve Eksportuese të Naftës (OPEC), sipas tij, ky organizëm po rritë çmimet në mënyrë të papërballueshme për botën.
Nafta e papërpunuar fillimisht shënoi ulje të çmimit me 3.3 për qind të hënën, më saktësisht në 64.93 dollarë për fuçi, për të vazhduar trendin edhe të martën duke rënë në 64.86 dollarë për fuçi.
Ndërkohë edhe marka amerikane e naftës WTI, ka shënuar ulje me 3.3 për qind, më saktësisht në 55.45 dollarë për fuçi, dhe të martën në 55.28 dollarë për fuçi.
“Çmimet e naftës janë të larta. OPEC, ju lutem relaksohuni dhe merreni me të qetë. Bota nuk mund të përballojë rritjen, është e ndieshme”, shkroi Trump në Twitter, me çka shkaktoi ulje të çmimeve, që është hera e parë në tre muajt e fundit, përcjell Telegrafi.
Nafta e papërpunuar dhe WTI, javën e kaluar arritën nivelin më të lartë që nga 16 nëntori 2018, si rrjedhojë e marrëveshjes për kufizim të prodhimit, ndërkohë që sanksionet amerikane mbi Venezuelën dhe Iranin kanë ndikuar në rritje të çmimeve.