×
  • Lajme
  • Lajme / Kosovë

    Bilcik: Asociacioni do të ulte tensionet, Bansjka s’është vepër individësh prandaj duhet hetim

    Insajderi
    07 October 2023 - 13:40
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Raportuesi i Parlamentit Evropian për Serbinë, Vladimir Bilcik, ka folur për tensionet në mes të Kosovës dhe Serbisë pas sulmit terrorist të 24 shtatorit. Ai ka thënë se mungesa e dialogut dhe marrëveshjes themelore ka krijuar një situatë të tillë.

    Bilcik ka thënë se rruga përpara është angazhimi i të dy palëve në dialog. Sipas raportuesit sllovak, themelimi i Asociacionit do të ndikonte në uljen e tensioneve mes dy shteteve dhe sipas tij kjo do të tregonte edhe përkushtimin e Kosovës për progres në dialog.

    Gjithashtu Bilcik ka thënë se ajo që ka ndodhur në Bansjskë dhe armatimi i madh që është përdorur aty s’mund të jetë vepër vetëm e individëve, dhe kësisoj ai thotë se është i nevojshëm një hetim i duhur.

    “E vetmja rrugë përpara është angazhimi i vërtetë i të dyja palëve në dialog. Rritja e tensioneve, pasiguria që ndjejnë serbët në Kosovë, janë rezultat i faktit se nuk ka progres në dialog. Dhe këtu dua të theksoj sërish se ekziston një zgjidhje diplomatike relativisht e shpejtë që do të ndihmonte në uljen e tensioneve, e kjo është punë serioze në Asociacionin e Komunave Serbe. Kjo do të tregonte përkushtimin e Prishtinës dhe nëse kjo do të ndodhte, mendoj se do të shihnim përparim në dialog. Në të njëjtën kohë, është shumë e qartë se ajo që ndodhi në Banjska – përqendrimi i burimeve të mëdha, armëve, nuk mund të ishte bërë nga individë. Prandaj duhet një hetim i duhur”, thotë Bilcik në një intervistë për “Pobjeda”.

    I pyetur nëse e mbështet qëndrimin e disa deputetëve të Parlamentit Evropian, të cilët besojnë se BE-ja duhet të shqyrtojë një strategji të re për dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, por edhe për Ballkanin Perëndimor në përgjithësi, Bilcik është përgjigjur negativisht.

    “Jo, definitivisht nuk e mbështes këtë ide. Mendoj se kemi pasur një dialog prej disa vitesh. Dhe ndërmjetësimi i Bashkimit Evropian në dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës është e vetmja bazë që ka mbështetjen afatgjatë dhe të plotë të të gjitha institucioneve të shteteve anëtare, e në vitet e fundit edhe të SHBA-së, dhe nuk ka arsye për ta rishqyrtuar atë. E vetmja rrugë përpara është angazhimi i vërtetë i të dyja palëve në dialog. Dhe sigurisht, duke pasur parasysh ngjarjet e fundit, do të kërkojë gjithashtu një hetim të plotë për atë që ndodhi në Banjska. Në thelb, kjo është diçka që është kryesisht në duart e Serbisë dhe Beogradit. Gjithashtu, ngjarjet nuk duhet të përdoren apo abuzohen. Ne kemi nevojë për aq përkushtim nga Beogradi sa na nevojitet nga Prishtina në vetë dialogun” ka theksuar ai.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark