×
  • Lajme
  • Lajme / Kosovë

    Bislimi ia faturon Qeverisë Kurti liberalizimin, harron se sivjet është e sanksionuar nga BE’ja

    Insajderi
    31 December 2023 - 15:04
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, sot ka folur për të arriturat e qeverisë gjatë vitit 2023 dhe për planet në vitin 2024. Ndër ngjarjet e përmenduara pa dyshim ishte edhe çështja e liberalizimit të vizave për Kosovën, për të cilën meritat ia atribuoi qeverisë në krye me Albin Kurtin.

    Ai tha se kanë arritur të zhbllokojnë procesin e liberalizimit të vizave, ku tashmë pak orë na ndajnë nga fundi i regjimit të vizave.

    Zhvilluam edhe fushatën informuese, për të pajisur të gjithë qytetarët me informatat e nevojshme për udhëtime pa viza. E kemi bërë hapin e parë drejt anëtarësimit në BE në 2022 përmes dorëzimit të aplikimit në Pragë, e ku këtë vit punuam me Presidencën suedeze të Këshillit të BE-së, për trajtimin e kërkesës e për të cilët jemi falënderues për bashkëpunimin. Kërkojmë edhe më shumë këtë vit, nga presidencat e ardhshme belge e hungareze, sepse Kosova meriton të shkojë tutje drejt integrimit në familjen evropiane”, ka shkruar Bislimi në Facebook.

    Por, siç duket, Bislimi ka harruar masat e shumta ndëshkues të Bashkimit Evropian kundër Kosovës, të cilat erdhën si shkak të dështimit të qeverisë që të marrë hapa për uljen e tensioneve në komunat në veri të vendit, të banuar me shumicë serbe.

    Në qershor të këtij vitit, Bashkimi Evropian kishte përgatitur një varg masash ndëshkuese për Kosovën.

    Sanksionet përfshijnë pezullimin e ftesave për pjesëmarrjen e Kosovës në ngjarjet e nivelit të lartë dhe vizitave dypalëshe nga Bashkimi Evropian dhe vendet anëtare. Takime do të ketë vetëm kur ato duhet të zhvillohen për t’u fokusuar në adresimin e krizës në veri të Kosovës dhe hapave për gjetjen e zgjidhjes.

    Po ashtu, sanksioni tjetër është puna e përbashkët e grupeve që ekzistojnë mes Kosovës dhe BE-së, e të cilat janë krijuar në bazë të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA).

    Nga këto sanksione ka pasur edhe pasoja financiare për Kosovën. BE kishte planifikuar një pezullim të financimit nga ana BE-së të disa projekteve për të cilat ka dhënë propozime Kosova në kuadër të Fondit investues për Ballkanin Perëndimor.

    BE, si sanksion ndaj Kosovës, ka paraparë që të ulë edhe nivelin e pranisë publike në zhvillimet dhe ngjarjet e përbashkëta ku marrin pjesë anëtarët e Qeverisë së Kosovës.

    Qeverisë së Kosovës i ishin komunikuar masat ndëshkuese më 28 qershor, si pasojë e vlerësimit të BE-së se Kosova nuk ka ndërmarrë hapat e kërkuar për uljen e tensioneve në veri.

    Ndryshe, tensionet në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe, nisën më 26 maj, kur kryetarët e rinj shqiptarë të Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit, hynë në ndërtesat komunale nën përcjelljen e Policisë së Kosovës. /Insajderi.org/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark