Gjykata Themelore në Prishtinë ka vendosur për një rast ku disa kompani funeralesh patën paditur Komunën e Prishtinës BIK-un e Komisionin e Konkurrencës. Vendosi në favor të kompanive që në thelb, BIK të mos mbaj monopolin e shitjes së materialeve për ceremoninë e varrimit. Në Pejë vazhdon kjo praktikë, prandaj avokati i njëjtë përfaqëson një kompani funeralesh që ka ushtruar padi edhe në Gjykatën në Pejë. Insajderi sjell detajet
Kur vdes një person që i përket besimit islam, në shumicën e komunave të vendit gjithçka e merr në përgjegjësi Bashkësia Islame e Kosovës (BIK), këshilli respektiv i saj në atë komunë.
BIK siguron, rrjedhimisht shet edhe materialet që përdorën prej dërrasave, qefinin e deri tek arkivoli-nëse familjarët vendosin ta varrosin me arkivol.
Dhe, kompanitë e funeraleve nuk po mund të hyjnë në këtë biznes të majmë që e mban BIK-u. Atyre u ka mbetur kryesit transporti i kufomave
Këtë praktikë nuk e ka parë si të ligjshme Gjykata Themelore në Prishtinë.
“Gjykata erdhi në përfundim se e paditura e parë (Komuna e Prishtinës) në pikën II të dispozitivit të këtij vendimi, përcakton vetëm çështjen e faturës që kërkohet nga bashkësitë fetare, e në rastin konkret në këtë çështje të konfliktit administrativ, faturat për ritet fetare parashihet të sigurohen nga Këshilli i Bashkësisë Islame në Prishtinë, duke mos specifikuar këtu nëse bëhet fjalë edhe për gjëra tjera përcjellëse me rastin e funeralit e që përfshijnë dërrasat, shtofin (qefinin), piramidat, arkivolet dhe larja e të ndjerëve”, thuhet në vendimin që ka marrë kjo Gjykatë.
Gjykata për më tepër gjeti se çfarëdo aktiviteti i shitblerjes së materialeve siç janë dërrasat, shtofin (qefinin), piramidat, arkivolet dhe transportimi i kufomës nuk përkon me natyrën e punës së BIK, e cila detyrë kryesore ka kryerjen e riteve fetare dhe jo aktivitet ekonomik, për të cilin paditësit kanë licencë dhe janë ligjërisht të regjistruar në ARBK për të kryer këto shërbime funerale.
Këtë rast e kishte udhëhequr në Gjykatë, si përfaqësues i disa kompanive të funeraleve avokati Vehbi Halili.
Insajderi ka folur me këtë avokat, dhe i njëjti i ka thënë Gazetës se një padi për shkelje të natyrës së njëjtë e ka bërë edhe ndaj BIK- këshilli në Pejë, dhe Komisionit Kosovar të Konkurrencës.
“Pres që edhe gjykata në Pejë të vendos drejt siç ka bërë gjykata në Prishtinë. Kufizimi i aktivitetit biznesor vetëm në një vend, duket si krijim i monopolit”, i ka thënë Gazetës avokati Halili.
“BIK-u po i frikëson xhematin”- Për çka po paditët KBI-Pejë?
Më 3 dhjetor të vitit të kaluar avokati Vehbi Halili në emër të kompanisë së funeraleve “Perendimi: ka ushtruar padi kundër ‘Bashkësia Islame Pejë’, dhe Autoriteti Kosovar i Konkurrencës’.
“Padi kundër shkeljes të konkurrencës, keqpërdorimit ose monopolit dhe pozitës dominuese në treg, dhe marrëveshjet monopole, dhe vlerësimin e paligjshmërisë”, është subjekti i kësaj padie.
Gazeta Insajderi për më shumë se një javë ka pritur përgjigje nga KBI-Pejë, por të njëjtit nuk janë përgjigjur.
E ka pyetur edhe Kryesinë e Bashkësisë Islame në Qendër, që drejtohet nga Myftiu Naim Tërnava, por as ata nuk kanë komentuar, veçse kanë sugjeruar që përgjigja të kërkohet nga KBI-Pejë.
“Bashkësia Islame me seli në qytetin e Pejës, e cila vepron edhe në Komunat tjera, ushtron veprimtarin, ilegale e cila nuk është e regjistruar në Ministrin e Tregtisë e të Industrisë në Republikën e Kosovës dhe nuk kontrollohet, nga Organet e Komunës së Pejës”, thuhet në padi.
Sipas padisë, veprimtaritë që paditësi i konsideron të jashtëligjshme nga KBI-Pejë janë “shitja e dërrasave, shitja e piramidave, shitja e materialit shtofit -qefinit për kufomë, shitja e kurorave, edhe hapja e varrit”, thuhet në padi.
E njëjta, KBI-Pejë, sipas padisë “nëpërmes hoxhallarëve, (imamëve) në xhami ushtron propagandë me qellim të frikësimit të xhematit duke ju thënë se në rast vdekje të anëtarit të familjes, për varrosjen e tij, ju nuk guxoni të kërkoni shërbimet e varrimit tek, firma ” Shërbimet Funerale Perëndimi “, me seli në Pejë”, thuhet në padi.
Firma që paditi KBI-Pejë deklaron se disa herë i është drejtuar Komunës së Pejës për ndihmë në zgjidhjen e këtij porblemi, të cilin sipas tyre e krijon KBI-Pejë, por Komuna nuk ka pasur angazhim adekuat “për veprim ligjor, dhe nga kjo situate, e krijuar ju kemi drejtuar Autoritetit Kosovarë të Konkurrencës në Prishtinë, me dat. 03.10.2023 sipas protokolit 464/23-01/H, të cilët ende nuk janë përgjigjur”, thuhet në padi, raporton Insajderi
“Vprimet e Bashksisë Islame në Pejë jaë të kundërligjshme, e të pa penguara nga Organet Kompetente të cilat veprime janë të drejtuara qëllimisht kundër nesh, me shkelje të konkurrencës, keqpërdorim të monopolit, edhe pozitës dominuese në treg”, thuhet tutje në padi.
Kompania kërkon nga Gjykata që të vendoset, sipas tyre, ligjshmëria.
“Në zbatimin e dispozitave ligjore të I Ligjit Nr.08/L-056.Për Mbrojtjen e Konkurencès, ti nderpritet veprimtaria e paligjshme e ushtruar nga Bashkësia islame në Pejë, ti ndërpritet konkurrenca dominuese e saj në Pejë, Istog, dhe Klinë, ndaj Operatorit…të detyrohet pagimi i gjobave, dhe dëmeve tjera të shkaktuara”, thuhet në fund të padisë.
Çka kishte vendosur Gjykata në Prishtinë për një rast të ngjashëm?
Një rast i ngjashëm ishte bërë proces gjyqësor edhe në Gjykatën Themelore në Prishtinë. Disa kompani paditën KBI-Prishtinë, Komisionin e Konkurrencës dhe Komunën e Prishtinës e që kjo e fundit kishte marrë një akt administrativ që sipas paditësve e favorizonte BIK-un.
“I. APROVOHET si e bazuar kërkesëpadia e paditësve NTSH “D…”, NTSH “D…”, NRSH “K…” Sh.p.k. “L…”, DPD “P…”, firma “R…” dhe NSH “K…” të gjitha me seli në Prishtinë, të cilat sipas autorizimit i përfaqëson Vehbi Halili, avokat nga Prishtina, Rr.”UÇK-së” numër 28.
II. ANULOHET Vendimi 01.Nr. 400-93043 i Komunës së Prishtinës, Konkluzioni Nr.92/18- 02/D i datës 27.02.2018 i Autoritetit Kosovar të Konkurrencës dhe Vendimi i datës 01.03.2017 i KBI-së dhe çështja kthehet në rishqyrtim dhe rivendosje tek të paditurat”, thuhet në këtë vendim të shkurtit 2021.
Në këtë rast Gjykata kishte dalë edhe me konstatime të tjera të gjetjeve të veta, që në thelb konstatonte që BIK-u nuk mund të ketë monopolin në biznes me mallra që lidhen me varrimin, dhe mban padyshim të drejtën për të kryer ritin fetar të varrosjes dhe lutjeve që shkojnë bashkë me të, por jo edhe pjesën biznesore të shitjes.
“Gjykata shqyrtoi dhe analizoi me kujdes aktin administrativ të kontestuar të të paditurës së parë, Komunës së Prishtinës dhe për të njëjtin gjeti se është i përfshirë në shkelje thelbësore të Ligjit për Procedurën e Përgjithshme Administrative:, thuhet në këtë vendim sa i përket një akti administratv të Komunës që palët pretendonin se e favorizonte BIK-un.
“Gjykata gjithashtu konstatoi se me vendimin e të paditurës së parë, Komunës së Prishtinës, kompanitë private, respektivisht paditësit, janë përjashtuar nga e drejta që të furnizojnë familjarët e të ndjerëve me materialet me rastin e funeralit e që përfshijnë dërrasat, shtofin (qefinin), piramidat, arkivolet dhe larja e të ndjerëve, duke u dhënë të njëjtëve vetëm mundësinë e transportimit të kufomës së personit të vdekur. Duke qenë në një situatë të tillë, paditësve u është mohuar ofrimi i shërbimeve1 të tyre në një ambient ku konkurrenca është plotësisht e lirë në treg”, thuhet tutje në vendim.
Gjykata kishte nxjerr konstatim edhe kundër Komisionit Kosovar të Konkurrencës, që në atë prose kishte nxjerr një dokument që pak a shumë si Komuna e Prishtinës i rrinte në krah BIK-ut.
“Në lidhje me aktin administrativ të të paditurës së dytë (Komisioni Kosovar i Konkurrencës), gjykata gjeti se dispozitivi apo pjesa urdhëruese, është kontradiktore me arsyetimin ashtu që nga kjo del se ai përmban të meta të tilla për shkak të të cilave nuk mund shqyrtohet ligjshmëria e tyre. Të metat e tilla qëndrojnë në shkeljet thelbësore të dispozitave të Ligjit për Procedurën e Përgjithshme Administrative”, thuhet në vendim.
“Autoritetit Kosovar të Konkurrencës, i cili në seancën e shqyrtimit gjyqësor të datës 17.12.2020 duke ju referuar kërkesës së operatorëve ekonomik, pretendon se të njëjtit kanë kërkuar shërbime rituale fetare duke argumentuar se kjo çështje është ekskluzivitet i bashkësive fetare, të njëjtat i hodhi poshtë si të paqëndrueshme, për shkak se as në padi dhe as gjatë deklarimeve të tyre, të njëjtit nuk kanë kërkuar asnjëherë që të përfshihen në ofrimin e riteve fetare, për shkak se është fakt i njohur botërisht që ritet fetare performohen dhe kryhen vetëm nga personat përgjegjës të deleguar nga bashkësitë fetare.
E paditura e dytë, duhet të marr të gjitha masat e nevojshme administrative, që në rivendosje, të bashkëpunoj ngushtë me dy të paditurat tjera e veçanërisht me të paditurën e parë komunën e Prishtinës në mënyrë që të eliminohet çfarëdo zbrazëtie ligjore dhe të gjitha të metat e evidentuara në këtë Aktgjykim”, konstaton Gjykata.
Edhe për vendimin e KBI-Prishtinë Gjykata gjeti shkelje thelbësore.
“Në lidhje me vendimin e të paditurës së tretë (KBI- Prishtinë), gjykata gjeti se edhe tek akti administrativ i të paditurës së tretë, ekzistojnë shkelje thelbësore të dispozitave të Ligjit për Procedurën e Përgjithshme Administrative, konkretisht të nenit 47”, thuhet në vendim.
Gjykata hodhi poshtë deklarimet e përfaqësuesit të KBI-Prishtinë, i cili në seancën e shqyrtimit kryesor të datës 26.01.2021, ndër të tjera, tha: “andaj BIP vetëm i ka udhëzuar popullatën që konform vendimit të komunës së Prishtinës, t’i drejtohen KBI-së si kompetente për këtë çështje, andaj mbetem pranë propozimit të mësipërm”. Këto deklarime u hodhën poshtë për faktin se në përputhje me pikën II të dispozitivit të vendimit Komunës së Prishtinës, përcaktohet obligimi i familjarëve që faturat si në pikën II të dispozitivit të vendimit të Komunës së Prishtinës, të sillen para organeve komunale e jo para Bashkësisë Islame në Prishtinë.
Gjykatës po ashtu nuk ju ofrua asnjë provë mbi bazën e asaj se si BKI i siguron dërrasat, shtofin (qefinin), piramidat, arkivolet dhe larja e të ndjerëve, si zbatohet vendimi i të paditurës së parë Komunës së Prishtinës, e veçanërisht pika II e këtij vendimi dhe se mbi çfarë baze ligjore bëhet shpërndarja e këtyre materialeve, duke marrë parasysh faktin që misioni i së njëjtës është ofrimi i riteve fetare për pjesëtarët e komunitetit mysliman e në asnjë rast ofrimi i shërbimeve të shitblerjeve të materialeve siç janë dërrasat, shtofin (qefinin), piramidat, arkivolet.
“Gjykata për më tepër gjeti se çfarëdo aktiviteti i shitblerjes së materialeve siç janë dërrasat, shtofin (qefinin), piramidat, arkivolet dhe transportimi i kufomës nga ana e të paditurës së tretë, nuk përkon me natyrën e punës së BIK, e cila detyrë kryesore ka kryerjen e riteve fetare dhe jo aktivitet ekonomik, për të cilin paditësit kanë licencë dhe janë ligjërisht të regjistruar në ARBK për të kryer këto shërbime funerale”, thuhet në vendim. /Gazeta Insajderi