×
  • Lajme
  • Hulumtime/Analiza / Analiza

    Biznesmeni që ishte përfshirë në aferën e Oksigjenit akuzohet se pagoi njerëz për ta terrorizuar renë

    Insajderi
    11 December 2023 - 13:15
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Biznesmeni, Hysni Hoxha po dyshohet se ka paguar njerëz për ta terrorizuar ish-gruan e djalit të tij dhe familjarë të saj, në mënyrë që t’ia besojë kujdestarinë e mbesës, pas vdekjes së djalit. Emri i Hoxhës është përmendur edhe në rastin e aferës me Oksigjen gjatë kohës së pandemisë, ku InDoks pati mësuar se kompania e tij “Lindi”, ani pse nuk kishte licencë furnizonte Spitalin e Prizrenit me boca të oksigjenit. Por, kë e pagoi e si  po dyshohet se veproi Hysni Hoxha në rastin e fundit, Insajderi ju sjell detajet.

    Nga dosja që ka siguruar Gazeta Insajderi, mësohet se Hysni Hoxha kishte angazhuar Grupin “Porosia” në krye me liderin e saj Driton Sylejmanin për të frikësuar nusen e djalit dhe familjarët e saj, më konkretisht vëllai e saj.

    V.D (vëllai i viktimës), ishte sulmuar fizikisht nga persona që po pretendohet se janë porositur nga Hysni Hoxha.

    Viktima, F.D (emër i njohur për redaksinë), ka deklaruar se vazhdimisht ka pasur probleme me vjerrin e saj. Problemet deklaroi se u bënë edhe më të mëdha në momentin kur i vdiq burri, dhe në pyetje ishte besimi i vajzës.

    “…se Hysni Hoxha është ish vjerri im dhe me të njëjtin vazhdimisht kam pasur probleme për shkak të vajzës time, i cili ka dashur që ai ta mbaj pas vdekjes së ish bashkëshortit tim, mirëpo kur ish bashkëshorti im ka ndërruar jetë, gjykata me vendim me ka besuar vajzën mua. Ndërsa sa i përket rastit të fundit, që më është dëmtuar familja ime në muajin Nëntor të vitit 2022, ka qenë pas mesnate në ora 00:20, ku më është sulmuar vëllai nga dy persona të pa njohur para shtëpisë dhe e kanë dëmtuar duke i shkaktuar lëndime të rëndë trupor, ku është qëlluar me një mjete të fortë dhe për këtë u trajtuar në QKUK të Prishtinë, si pasojë e këtyre lëndimeve”, ka deklaruar ajo para prokurorisë përcjell Insajderi.

    Sipas saj, pretendimi nuk ishte vetëm për ta rrahur por edhe për ta vrarë vëllai e saj.

    “Unë kam menduar që pas këtij rasti qëndron Hysni Hoxha, asnjëherë nuk kemi pasur probleme me askënd. Dhe sipas policisë dhe video incizimet që janë marrë prej policisë në shtëpi, Hysni Hoxha ka paguar njerëz që të ma sulmojnë apo edhe të ma vrasësin vëllain tim krejt”.

    Viktima deklaron se përveç saj probleme me Hysni Hoxhën kanë pasur edhe zyrtarët e Qendrës për Punë Sociale, si dhe një hetuesi të rastit. Të gjithë thotë se i ka kallëzuar penalisht.

    Thekson se çdoherë ishte nën përcjellje të ish-vjeherrit të saj.

    “E njëjta ka shtuar se çdo herë sipas policisë unë kam qenë nën përcjelljen e Hysni Hoxhës dhe në të shumtën e herëve këto përcjellje kanë qenë nga Hysnia edhe kur e kam pasur vajzën edhe kur kam qenë vetë”.

    Kur është pyetur mbi të akuzuarit e tjerë për rastin, F.D ka deklaruar se nuk i njeh, përjashto njërin prej tyre.

    Personat Driton Sylejmanin, Xhevdet Mehanja, Tefik Shalaku, Ajet Dakaj, nuk i njoh, ndërsa Fadil Krasniqin e njoh dhe kam pasur kontakte me të pasi që i njëjti punon në recepsion në Prokurori dhe sa herë kam shkuar me u taku me mbrojtësin e viktimave për rastin tim e kam takuar Fadilin”,  tha ajo.

    Dëshminë para policisë e prokurorisë e ka dhënë edhe vëllai i viktimës V.D. Ka treguar rastin në detaje, se si pas mesante, fillimisht ishte kërcënuar me armë dhe pastaj ishte rrahur deri në gjakosje. Në atë gjendje kishte shkuar për ta raportuar rastin në Polici.

    Thoshte se personi i vetëm që kanë pasur problem është ish-vjehrri i motrës, Hysni Hoxha.  

    …në deklaratën edhe në polici dhe Prokurori më datë 09 Tetor 2023, ndër të tjera ka deklaruar se natën kritike jam kthyer në 00.20 të mes natës në shtëpi, dhe pasi kam dal prej veturës, kam ecë tre hapa, ku një person ma ka shti revolen mbrapa shpinës dhe më ka thënë “mos lëviz se të vrajë”, më pas ka ardhur një persona tjetër më ka goditur disa herë me shufër dhe më ka gjakosur, ku e kam hupë vetëdija në atë moment, jam mbështetur për veture, dhe i kam pyetur se kush jeni, të njëjtit prapë më kanë thënë “se të vrajmë”, pas disa minutave kam hyrë në shtëpi ashtu i gjakosur, pas disa minutave kam shkuar në polici ku të njëjtit më kanë pyetur a dyshon në ndokënd, unë i kam thënë se dyshoj në Hysni Hoxhen, pasi që me të njëjtin kemi pasur probleme, pastaj policia më ka dërguar në Emergjencë në QKUK Prishtinë, ku ma kanë qepë kokën dhe kam pasur lëndime në qafë”, thuhet në aktakuzë.  

    Njësoj sikurse motra e tij edhe ai deklaronte se nuk i njihte të dyshuarit, përjashto Fadil Krasniqin.

    “I njëjti ka shtuar se nuk ka mundur të i vërej personat në fytyrë, pasi që ka qenë shumë errësirë, dhe se personat Driton Sylejmanin Xhedet Mehanjen, Tefik Shalakun, Ajet Dakaj nuk i njoh, kurse Fadil Krasniqin e njoh vetëm si figurë, pasi që e kam parë në recepsion të Prokurorisë”.

    Se është në rrezik për jetë ishte paralajmëruar edhe mbrojtësi i viktimave A.L. Ai deklaronte se ishte paralajmëruar nga Policia se është nën përcjelljen e një grupi kriminal.

    “...në deklaratën e tij të dhënë në Prokurori, më datë 09 Tetor 2023 ka deklaruar se data nuk më kujtohet më kanë thirr dikush nga hetuesit dhe më ka njoftuar se për shkak të detyrës-punës tënde një grup kriminal janë duke të përcjellë, ky ka qenë njoftimi i parë, pothuajse çdo ditë kam qenë në kontakt me hetuesit, për arsye se sipas hetuesve që për shkak të sigurisë timen personale dhe të familjes gjatë kësaj kohe unë për çdo lëvizje timen është dashur me i njoftuar hetuesit që po shkoj dikun në mënyrë që me më pas nën përkujdesje, ashtu më kanë thënë, dhe më kanë kërkuar që pa ndonjë arsye shumë t madhe mos me lëvizë prej shtëpisë, dhe për çdo ditë vajtje-ardhje në punë prej 08:00-16:00 h, kur jam nisur për punë është dashur me i njoftuar ata dhe prapë kur jam kthyer prej punës me i njoftuar se po kthehem në shtëpi”.

    “Kjo periudhë ka zgjatë disa javë por konsideroj që njoftimi i parë ka qenë nga mesi i muajit Janar 2023 dhe ka zgjatë deri sa janë arrestuar, dhe pasi që janë arrestuar të nesërmen më kanë kontaktuar policët dhe më kanë thënë se je i lirë me shkuar në punë, kur i pyeta pse më thanë se personat janë arrestuar. Për këta personat që më kanë thënë policia se janë duke të përcjellë nuk kam pasur dijen, pasi që policia nuk më kanë dhënë shumë informacion sepse rasti ka qenë në hetime”.

    I njëjti ka shtuar se personin me emrin Hysni Hoxha e njoh sepse ka qenë palë përgjegjëse në një rast që e kam përfaqësuar palën e dëmtuar F.D në çështjen e urdhrit mbrojtës.

    Të tjerët, të akuzuar për rastin ka deklaruar se nuk i njeh përjashto Fadil Krasniqin të cilin e ka takuar në objektet e prokurorisë, për shkak se punon si recepsionist.

    Hysni Hoxha, bazuar në dosjen e prokurorisë thuhet se kishte angazhuar Driton Sylejmanin, i cili njihet si lideri i grupit për ta frikësuar, sulmuar e tentuar ta vrasë ish-gruan e djalit dhe vëllain e saj.

    Përveç Sylejmanit, pjesë e këtij grupi janë edhe Xhevdet Mehana, Tefik Shalaku, Ajet Dajat dhe Fadil Krasniqi.

    Për çka akuzohen Hysni Hoxha, Driton Sylejmani, Xhevdet Mehanja dhe Tefik Shalaku?

    Në dosjen e siguruar nga Insajderi, Hysni Hoxha, Driton Sylejmani, Xhevdet Mehanja dhe Tefik Shalaku akuzohen se kanë kryer veprën penale “vrasje e rëndë në tentativë”.

    Bëhet me dije se Hysni Hoxha kishte angazhuar Driton Syljemanin dhe grupin e tij për t’i kryer një shërbim kriminal.

    Kjo pasi Hoxha kërkonte që dhunshëm t’i merrte besimin e fëmijës nga ish-nusja e djalit, në këtë rast viktima F.D (emër i njohur për redaksinë).

    “Nga muaji shtator 2022 në Prishtinë dhe në Fushë Kosovë, në vazhdimësi deri me rastin e arrestimit, i pandehuri Hysni Hoxha ndërmerr veprime përgatitore në bashkëkryerje duke angazhuar me të pandehurin Driton Sylejmanin dhe pas ky me të pandehurit Xhevdet Mehanja, Tefik Shalaku, që t’i përcjellin të dëmtuarit: F.D V.D dhe A.L, me qëllim të privimit nga jeta dhe shkaktimit të frikës, në atë mënyrë që, të pandehurit i përcjellin personat e dëmtuar, sepse i pandehuri Hysni kishte një kontest përkitazi me besimin e fëmijës (vajzën e djalit) me të dëmtuarën F.D (ish bashkëshortja e djalit të pandehurit Hysni) dhe në këtë mënyrë të ndikoj në marrjen e fëmijës, e që në këtë rast i përfshijnë duke i vëzhguar edhe vëllain e saj të dëmtuarin V.D, të cilin më datën 14 nëntor 2022 në fsh. Miradi e Poshtme, K. e Fushë Kosovës e sulmojnë duke i shkaktuar lëndime trupore, dhe mbrojtësin e viktimave A. L, por pasi që të pandehurit ishin nën vëzhgim të masave të veçanta hetimore, intervenojnë Policia dhe i arrestojnë të pandehurit, me çka ka në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale Vrasje e rëndë në tentativë nga neni 173 par 1 nën paragrafët 1.9, 1.11 dhe 1.13 lidhur me nenet 28 dhe 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK)”, thuhet në dosje.

    Pas kapjes së të dyshuarve, policia ka kryer bastisje në pronën e Hysni Hoxhën në shtëpinë e tij, e cila ndodhet në njërën prej lagjeve më të njohura në Prishtinë. Aty iu janë gjetur arsenal armësh.

    Sipas prokurorisë, të gjitha këto armë, i dyshuari ka qenë duke i mbajtur në mënyrë ilegale.

    “Me dt. 23.01.2023, në lagjen “Marigona” në Prishtinë, me rastin e bastisjes në shtëpinë dhe objekteve përcjellëse tek i pandehuri, Hysni Hoxha është gjetur se në kundërshtim me ligjin për armët posedon pa autorizim armë edhe atë: një (1) Pistolet Sig Sauer 1911 me numër serik GS90829, një (1) Karikator i pistoletës me mbishkrimin Panted, pesë (5) Fishek me mbishkrimin GECO-AUTO, kalibër 45mm, tre (3) Fishek me mbishkrimin EC .kalibër 43 mm., një (1) Pushke Ajrore me dylbi me mbishkrimin “Diana”, me numër serik: G- 24X50AOE(091707320), katër (4) Paketime (Kutija) me diabolla, kalibër 405mm, Dy (2) Thika me ngjyrë të gjelbërt dhe të zezë, një (1) Parë Dylbi me mbishkrimin ASPECT, me numër serik: 430FT,AT1000YOS, një (1) Fotrollë për armë (pistoletën e lëkurës),një (1) Karikator i pistoletës me mbishkrimin Panted, katër (4) fishekë kalibër 45mm, tre (3) fishekë kalibër 45mm, një (1) Fotrollë për armë, një (1) Pushkë e gjuetisë, me numër serik:LF.AH80449, një (1) Fotrollë për armën e gjuetisë, me dy pjesë të tjera të armës (karabinë), gjashtë (6) Fishekë me mbishkrimin 12-RC12, një (1) Pistoletë me mbishkrimin CZ75B me numër serik:99135, një (1) Karikator i pistoletes CZ, njëzetë e tre (23) fishekë kaliber 9mm (9X19 S-B), një (1) Fotrolle për pistoletë, një (1) Pistoletë me mbishkrimin EKOL- me numër serik:EJ126047, një (1) Karikator për pistoletë Ekol dhe një (1) Fotrollë për pistoletën Ekol, e të cilat arme sekuestrohen nga Policia” , ceket në dosjen e Prokurorisë të siguruar nga Insajderi.

    Me këtë, Hysni Hoxha po akuzohet se ka kryer veprën penale: Mbajtja në pronësi, kontroll apo posedim të pa autorizuar të armëve.

    /Insajderi

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark