Monika Kryemadhi ka shpenzuar rreth 235 mijë dollarë brenda tre viteve me një kartë “American Express Centurion”, të hapur në emrin e saj nga biznesmeni shqiptaro-amerikan Adrian Shatku, të cilin ajo e ka cilësuar si “kushëri”, ndërkohë që sipas dosjes së SPAK të siguruar nga “MaShqip”, në të njëjtën periudhë Shatku kërkonte dhe përfitonte mbështetje nga çifti Meta-Kryemadhi për projektet e kompanisë së tij UNIFI në Shqipëri.
Sipas dosjes, në një nga komunikimet mes tyre, Adrian Shatku i kërkon Monika Kryemadhit kopje të pasaportës, pasi i duhej për pajisjen me kartën “Black AMEX”. Monika ia dërgon foton e pasaportës, por shfaq shqetësim nëse kjo mund t’i sillte ndonjë problem. Shatku e qetëson duke i shpjeguar se karta ishte si “Visa e zezë”, por më e fuqishme dhe më e rrallë. Më pas ai i shkruan se kishte folur dhe se karta “bëhej”, ndërsa për tre ditë do t’i dërgohej në emrin e saj.
Sipas SPAK, ky komunikim lidhet me përpjekjet e Shatkut për projektet e kompanisë UNIFI dhe marrëdhëniet me institucionet e telekomunikacionit dhe operatorët në Shqipëri.
Në zbatim të letërporosisë, autoritetet ligjzbatuese të Shteteve të Bashkuara të Amerikës i kanë përcjellë SPAK të dhënat e siguruara nga kompania “American Express” për kartat në emër të Adrian Shatkut.
Në datën 7 dhjetor 2014, sipas dokumenteve të ardhura nga SHBA, është kryer një pagesë prej 2,500 dollarësh si tarifë anëtarësimi për Monika Kryemadhin në “American Express”. Në pasqyrën e kartës “Amex Centurion” me numra fundorë 3-31009, në emër të Adrian Shatkut, rezulton edhe një kartë shtesë “Amex Centurion” me numra fundorë 3-31017, mbajtëse e së cilës ishte Monika Kryemadhi.
Karta, sipas dosjes, kishte limit mujor 100 mijë dollarë. Ajo është përdorur për herë të parë më 6 dhjetor 2014 në dyqanet “Selfridges” në Londër, ndërsa përdorimi i fundit i dokumentuar është më 19 nëntor 2017 për pagesa në hotelin “Berkeley” në Londër.
Në total, shpenzimet e kryera nga Monika Kryemadhi, për periudhën dhjetor 2014 – nëntor 2017, kapin shumën 234,677.83 dollarë.
Sipas përshkrimit të shërbimeve në pasqyrat e kartës, pagesat janë kryer kryesisht për blerje në dyqane veshjesh në Londër, Vjenë, Las Vegas dhe Beverly Hills, për qëndrime në hotele në Londër, New York dhe Las Vegas, si dhe për bileta avioni.
Nga verifikimet në sistemin TIMS, hetuesit kanë konstatuar se në momentet kur kjo kartë është përdorur, Monika Kryemadhi ndodhej jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë.
Dosja e SPAK lidh këto shpenzime me raportin e vazhdueshëm mes familjes Meta-Kryemadhi dhe Adrian Shatkut, i cili në të njëjtën kohë kërkonte mbështetje për kompaninë e tij UNIFI Communication INC, për shtrimin e fibrave optike dhe hyrjen në tregun shqiptar të telekomunikacionit.