Ka përfunduar prapa grilave biznesmeni Arben Shahini, pronar i ndërmarrjes së ndërtimit “Beni Construction SHPK”. Shahini po dyshohet se ka bashkëpunuar me ish-kryetarin e Komunës së Shtërpcës, Bratislav Nikoliq. Gazeta Insajderi nga burimet brenda prokurorisë merr vesh se biznesmeni Arben Shanini ka shërbyer si sekser i bosit të dikurshëm të Brezovicës i njohur si “Braca”. Gjykata Themelore e Ferizajt të mërkurën i caktoi masën e paraburgimit prej një muaji nën dyshimin se ka kryer veprën penale “marrja e ryshfetit në ndihmë”.
Gjykata Themelore në Ferizaj ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji ndaj një të dyshuari A.SH për ryshfet në rastin “Brezovica”.
Gazeta Insajderi raportoi dje ekskluzivisht se personi i arrestuar është Arben Shahini, drejtor në ndërmarrjen e ndërtimit “Beni Construction SHPK”.
Insajderi mëson nga burimet brenda prokurorisë së personi i arrestuar, Arben Shahini dyshohet se ka shërbyer si sekser i ish-kryetarit të Komunës së Shtërpcës, Bratisllav Nikolliq i cili po ashtu ishte arrestuar nën dyshimet që ka përfituar mbi një milion euro dhe dhurata si vetura dhe vila për lëshimin e lejeve të ndërtimin në Brezovicë
Sipas njoftimit të gjykatës të mërkurën, Arben Shahini po hetohet për shkak të veprës penale në bashkëkryerje “marrja e ryshfetit në ndihmë”.
“Gjykata në këtë rast gjen se ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri ka kryer veprën penale në bashkëkryerje marrja e ryshfetit në ndihmë nga neni 428 paragrafi 2 lidhur me nenin 31 dhe 33 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK), dhe ky dyshim i bazuar mbështet nga faktet dhe provat të cilat janë të bashkangjitura deri në këtë fazë”, thuhet në njoftim.
Mbi 1 milion euro ryshfet, vetura e vila dhuratë- Këto janë dyshimet që rendojnë mbi bosin e dikurshëm të Brezovicës
Në dhjetor të vitit të kaluar ishte zhvilluar një operacion në 12 lokacione, ku rezultoi me 10 persona të arrestuar, 8 prej të cilëve janë nga komuna e Ferizajt dhe dy nga ajo e Prishtinës, shkruan Insajderi.
Në mesin e tyre ishte ish-kryetari i Komunës së Shtërpcës, Bratislav Nikoliq i njohur si Braca.
Nikoliq, dyshohet që ka përfituar mbi 1 milion euro dhe dhurata si vetura dhe vila për lëshimin e lejeve të ndërtimin në Brezovicë.
“Dyshimet konsistojnë në vlera që kalojnë vlerat milionëshe. Ish-Kryetari i Komunës së Shtërpcës dyshohet se ka marrë mbi 1 milionë euro, disa villa që janë përfituar si dhurata, vetura që janë dhënë si dhurata për lëshimin e lejeve”, kanë thënë Policia.
Por, kjo nuk është hera e parë që ish-kryetari i Komunës së Shtërpcës, Bratisllav Nikolliq, akuzohet për keqpërdorimit të detyrës zyrtare.
Prokuroria i akuzonte Nikoliqin e Rexhepin se me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore duke vepruar në kundërshtim me Ligjin për Prokurimin Publik të Kosovës, nuk kanë përmbushur detyrat e tyre zyrtare kur kanë lidhur aneks-kontratë në vlerë prej 346 mijë euro me operatorin ekonomik “Albes”, duke tejkaluar kështu 10 % të vlerës së kontratës bazë prej 1.5 milion euro për ndërtimin e tri ndërtesave në Shtërpcë, me të cilin kanë dëmtuar buxhetin e Republikës së Kosovës.
Me 29 dhjetor të 2015, asokohe kryetar i Shtërpcës, Nikoliq dhe zyrtari komunal i prokurimit, Agim Rexhepi, janë liruar nga akuzat për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Bratisllav Nikolliq që u arrestua sot për keqpërdorim të pozitës ishte kryetarët i komunës së Shtërpcës që nga themelimi në vitin 2009 e deri në fund të nëntorit 2021, nga radhët e Listës Serbe
Kjo është partia kryesore e serbëve në Kosovë, e cila gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar.
Nikolliq, para se t’i bashkohej Listës Serbe në vitin 2013, ishte kryetar i Shtërpcës nga radhët e Partisë së Pavarur Liberale, e cila në fillim të vitit 2020 shpalli moratorium politik, si pasojë e dominimit total të Listës Serbe./Insajderi.org