×
  • Lajme
  • Insajderi / Insajderi

    “Bla bla bla-të e zakonshme”- Pjetër Shala pretendon se Specialja ia shkeli të drejtat gjatë intervistimit të tij në Belgjikë

    Insajderi
    08 May 2023 - 11:39
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Mbrojtja e Pjetër Shalës ka pretenduar se klientit të tij iu janë shkelur të drejtat humanitare kur është intervistuar dy herë në Belgjikë, një herë më 2016-ën dhe më 2019-ën. Kjo ka ngjallur polemikë me Prokurorinë Speciale, e cila synon ta dëshmojë të kundërtën. Çështja është dërguar për konsultim në Gjykatën e Apelit, e cila ka marrë një vendim jo krejtësisht të qartë.

    parashtresën që ka parë Gazeta Insajderi, mbrojtja e Shalës thotë se ish-komandantit të UÇK-së gjatë kohës sa është intervistuar në Belgjikë nuk iu është treguar se në çfarë cilësie po pyetet dhe nuk iu është përmendur e drejta për përfaqësim ligjor falas. Ata kanë thënë se nuk është marrë parasysh as niveli i edukimit të Shalës.

    “Shala argumenton se ai nuk ishte informuar siç duhet dhe në mënyrë adekuate për të drejtën e tij për t’u ndihmuar nga një avokat dhe për të drejtën për përfaqësim ligjor falas si para ashtu edhe gjatë intervistës. Lidhur me këtë, Shala pohon se vlerësimi nëse i akuzuari është mjaftueshëm i informuar për këtë të drejtë kërkon aplikimin e një testi subjektiv dhe se trupi gjykues nuk ka vlerësuar se ai ka të përfunduar vetëm arsimin e mesëm të ulët”, thuhet në parashtresë.

    Duke iu referuar një intervistimi të Shalës në 2019 në Belgjikë, mbrojtja thotë se “gjuha e përdorur gjatë intervistës që i referohet “bla bla bla-ve të zakonshme” nuk ishte njoftim i duhur”.

    Në anën tjetër, Zyra e Prokurorit të Specializuar thotë se Shala u informua siç duhet para secilit intervistim dhe se ai i kuptoi të drejtat e tij.

    “Në lidhje me intervistën belge të vitit 2016, ZPS nënvizon se Shala ishte i rritur, nuk ishte i paraburgosur, kishte përvojë paraprake si i dyshuar në procedurë penale dhe kishte qasje me një përkthyes. ZPS argumenton se në kundërshtim me argumentet e Shalës, Trupi Gjykues me të drejtë arriti në përfundimin se atij i ishte dhënë mundësia për të kërkuar këshilla ligjore para dhe gjatë intervistës”, thuhet në parashtresë.

    Përkundër pretendimeve të mbrojtjes, Apeli ka vendosur ta rrëzojë kërkesën e Shalës dhe ka mbyllur mundësinë e ri-apelimit.

    “Si përmbledhje, edhe pse Paneli nuk pajtohet me mënyrën se si kërkesa për lidhjen shkakësore ndërmjet shkeljes së të drejtave të një të dyshuari dhe mbledhjes së provave është zbatuar nga Trupi Gjykues dhe konsideron se një kërkesë e tillë nuk parashikohet shprehimisht nga jurisprudenca e GJEDNJ , Paneli nuk ka identifikuar gabim ligjor dhe rrjedhimisht hedh poshtë çështjen…”, thuhet në njoftimin e Apelit.

    Sipas kësaj parashtrese, Shala është intervistuar dy herë në Belgjikë në cilësinë e të dyshuarit për drejtimin e një burgu të improvizuar ku supozohet se u keqtrajtuan njerëz.

    Në rastin e Shalës, deri më tani janë dëgjuar 11 dëshmitarë. Gjykimi ndaj tij pritet të vazhdojë më 19 maj. /Insajderi.org/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark