Kandidati për deputet nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Blerim Kuçi, ka shpjeguar arsyet që e shtynë t’i hyjë garës për një ulëse në Kuvendin e Kosovës. Ai ka drejtuar kritika ndaj situatës aktuale politike, duke vënë theksin te paqëndrueshmëria e institucioneve.
Në një deklaratë për mediat, Kuçi u shpreh se funksionimi i organeve vitale të shtetit është cenuar nga një lloj anarkie dhe nga zgjedhjet e shpeshta, gjë që e ka shtyrë të angazhohet për të rikthyer rendin kushtetues.
“Sot ne jemi me qeveri në detyrë, jemi me ushtrues detyre, po shkojmë në zgjedhje nuk e di sa herë brenda vitit. Kemi krijuar një lloj jostabiliteti institucional, një lloj anarkie, edhe unë nuk jam adhurues i anarkisë dhe e tërë jeta ime ka shkuar pas një lloj rendi e sidomos rendit kushtetues. Ne kemi probleme me funksionimin e organeve më vitale të shtetit“, ka thënë ai, përcjell Insajderi.
Kuçi ka potencuar se rruga qeverisëse e LDK-së është e qartë, përballë një ekzekutivi aktual që, sipas tij, nuk ka një orientim apo vizion të qartë për të ardhmen e vendit.
“Unë po kërkoj që të kemi një lloj stabiliteti, një qeveri normale ku qytetari e di se ku po do të shkojë. Është e qartë rruga qeverisëse e LDK-së. Tash kemi një qeveri në detyrë që nuk e di çka po do, ku po do të shkojë, çka na pret në të ardhmen. Krejt kjo më ka shtyrë të mendoj dhe të vendos të hyj në garë për deputet”, deklaroi tutje ai.
Kandidati i LDK-së u shpreh i bindur se përvoja dhe përgatitja e tij profesionale do të jenë vlerë e shtuar për të ndihmuar në konsolidimin e institucioneve dhe në jetësimin e projekteve të subjektit të tij politik.
“Po mendoj që kam potencial, edhe dije, edhe përvojë që të jap një kontribut për këtë stabilitet institucional së pari, e pastaj të mendoj për misionin, vizionin edhe objektivat e subjektit të cilit i përkas“, tha Kuçi.
Në këto zgjedhje, Blerim Kuçi garon në listën e LDK-së me numrin 47.