Ish-pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Blerim Ramadani, i arrestuar muajin e kaluar nga policia maqedonase, ka ikur nga arresti shtëpiak në Maqedoninë e Veriut.
Ai dyshohet se ndodhet në Kosovë.
Nipi i tij, Arianiti, tha për Gazetën Insajderi, se Ramadani është mirë me shëndet duke konfirmuar se ka ardhur në Kosovë.
“Ju konfirmoj se është në Kosovë, dhe se është mirë e shëndosh”, tha ai për Insajderin.
Ministria e Brendshme e Maqedonisë së Veriut konfirmoi informacionin se ish-ushtari i UÇK-së, Blerim Ramadani, për të cilin Serbia ka lëshuar urdhër dhe kërkon ekstradim, është arratisur nga arresti shtëpiak, transmetojnë mediat maqedonase.
Ramadani u arrestua më 17 korrik në pikëkalimin kufitar Jazhincë – që lidh Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut – në bazë të një fletarrestimi të lëshuar nga Gjykata në Beograd, përmes INTERPOL Serbia, nën akuza për krime lufte.