×
  • Lajme
  • Insajderi

    Blerim Syla paralajmëron trazira: S’e konsideroj Hekuran Muratin ministër, dështoi karshi fukarallëkut

    Insajderi
    24 November 2021 - 23:33

    Kryetari i Sindikatës së punonjësve shëndetësorë, Blerim Syla në një intervistë për Periskopin i është përgjigjur ashpër ministrit të Ekonomisë, Hekuran Murati, pasi ky i fundit i quajti të kapur, e po ashtu ua shuajti shpresat për mbështetje.

    Federata e Sindikalistëve Shëndetësorë të Kosovës (FSSHK) që për nesër ka paralajmëruar greva, mori një përgjigje aspak të këndshme nga ministri Murati, të cilin Syla nuk e quan as ministër.

    Syla e sheh skandaloz dhe joserioz postimin e Muratit në Facebook.

    ‘’Unë me të kallxu të drejtën, nuk e konsideroj atë ministër dhe për mu është një skandal në vete çka ka deklaru ai. Aq më keq që ka postu në Facebook të vetin. Është dashur të japë një deklaratë publike që kish mujt me u marr me seriozitet më të madh kjo punë. Me qenë ministër e mos me japë deklaratëë publike, me lëshu në facebook privat, është jashtë normave shtetërore.’’, deklaroi Syla për Periskopin.

    Tutje ai mendon se këto veprime, Qeveria Kurti po i merr si mbrojtje ndaj dështimeve të tyre.

    ‘’E dyta, cka ka pretendu ai, unë mendoj që dështimet e tij karshi këtij fukarallëku që ka fut në Kosovë, rritja e çmimeve, rritja e rrymës, mos rritja e pagave etj, po mundohet me bojkotu njëfar forme dhe me shantazhu e kërcënu punëtorët që të mos mbajnë greva. Ku e kanë zorin, e kanë tek sindikatat. Prandaj nuk ia vlen më shumë me komentu për atë njeri’’, shtoi Syla.

    Kryesindikalisti i mantelbardhëve tutje paralajmëroi greva, duke alarmuar për trazira sociale, meqë sips tij, qindra punonjës shëndetësorë janë irrituar nga reagimi i fundit i ministrit.

    ‘’Grevë kemi nesër. Ajo do të vazhdojë sipas planit dhe strategjisë tonë. Por kjo deklaratë, po të kallxoj sonte kam marrë me qindra mesazhe e qindra telefonata që i ka irritu shumë punëtorët tanë dhe kam frikë që jemi në prag të trazirave sociale. Zotëri Murati ka kërcënu në njëfar forme dhe ka shantazhu, por duhet me ditë që mundesh një Blerim Sylë me burgosë apo një Rrahman Jashar, por i dalin nja 10’të.”

    Reagime të ngjashme bëri për Periskopin edhe kryetari i Sindikatës së ‘’Ferronikelit’’, Fehmi Nika duke thënë se ministri Murati s’do të ketë qare pa u marrë me kërkesat e tyre.

    Ndërkohë, edhe Rrahman Jasharaj i indinjuar, postimin e Muratit e kishte marrë si kërcënim dhe shantazh.

    Revoltë nga Qeverisë Kurti, javëve të fundit po paraqesin Sindikata e Shëndetësisë së Kosovës, Sindikata e ‘’Ferronikelit’’, paralajmërim po bëjnë edhe mësimdhënësit, po ashtu edhe punëtorët e Administratës Publike.

    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.
    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark