×
  • Kulturë
  • Show / Kulturë

    Blerta Slishani-Krasniqi, “shpëtuese” e librit në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës

    Insajderi
    12 July 2023 - 14:51
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Blerta Slishani-Krasniqi ka një punë tejet të veçantë. Shumë njerëz që i duan librat, punojnë pikërisht në librari e biblioteka që ju ndihmojnë lexuesve të përzgjedhin librat që u ndihmojnë të kalojnë kohë kualitative. Por, puna e Blerta Slishani-Krasniqit është tejet specifike.

    Lidhja e saj me librin është përtej shitjes dhe këshillimit, andaj dhe lidhja e saj me librat është më ndryshe. Ajo tash e njëzetë vjet punon në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës në Sektorin e Restaurimit dhe Konservimit. Me punën e saj në këtë sektor ajo ua ka “shtuar” jetëgjatësinë shumë librave të vlefshëm. Ajo ka restauruar mbi 1 mijë libra e dorëshkrime të cilat janë goxha të vjetra.

    Kombinimi i metodave të vjetra me bashkëkohore

    Në një intervistë për AkademiPune, Blerta ka rrëfyer për punën e saj të përditshme. Edhe pse e kalon pothuajse çdo ditë brenda hapësirave të bibliotekës, çdo ditë e punës për të është e ndryshme.

    “Çdo dite në pune fillon ndryshe nga dita tjetër varesisht prej materialit të cilin do ta restaurojm dhe procesit në të cilin kemi mbetur”, tregon ajo. Biblioteka Kombëtare e Kosovës është qendër e restaurimit të materialeve bibliotekare që mbrojnë trashëgiminë kombëtare e kulturore për të gjitha bibliotekat e Kosovës, e  vetmja që bën restaurim në vend. Që nga dita e saj e parë në BKK, Blerta punon me restaurimin e librave dhe gjatë punës kombinoj metodat e vjetra të restaurimit me ato bashkëkohore.

    Blerta para se të filloj punën vendos dorëzat dhe maskën dhe nis pastrimin e librave. Të gjitha librat që do t’i nënshtrohen procesit të restaurimit duhet t’i regjistroj Blerta.

    “Pasi që pranohet libri në laborator së pari bëhet inventarizimi ku përfshihen të gjitha specifikat që e përcjellin atë libër si: titulli, autori, viti dhe vendi i botimit, sa faqe është libri dhe a ka ilustrime, centimetrat, shtëpia botuese, dëmtimet fizike, kimike dhe biologjike”, ka shpjeguar Blerta.

    Shpesh ka të bëj me libra shumë të dëmtuar dhe veten e konsideron si një lloj “kirurge” të librave. Sfidat nuk i ka të pakta në profesionin e saj të veçantë.

    “Gjatë punës hasi në shumë sfida dhe precipeti sepse është një profesion i rrallë e i veçantë i cili bëhet vetëm në laboratorin e biliotekës tonë, po ashtu edhe materili i cili restaurohet është shumë i ndjeshëm”, ka treguar ajo.

    Restaurimi i mbi 1 mijë materialeve

    Ajo tregon gjithë procesin e restaurimit të librit, i cili pas regjistrimit kalon në disa faza të tjera. Ajo edhe dokumenton fazat e resaturimit të tij. Libri pas gjithë procedurave merr një pamje të re.

    “Pas inventarizimit, paginimi dhe fotografimi i cili na vlen që të bëjmë krahasimin se si ka qenë në fillim libri dhe si është pas restaurimit, heqja e pluhurit në të thatë, dezinfektimi, neutralizimi, përgatitja e ngjitësit dhe restaurimi me dorë me letra japoneze të cilat duhet ti përshtatim sipas ngjyrës dhe trashësisë së letrës, rrafshimi i fletëve dhe qepja e tyre dhe restaurimi i kopertinave”, ka treguar ajo.

    Ajo deri më tani kam restauruar 1023 materiale bibliotekare prej tyre libra, gazeta, revista, dorëshkrime, harta, etj. Blerta me punën e saj duhet të kalojë në shumë hapa të cilët kërkojnë përkushtimin e saj në çdo detaj dhe shpesh kjo punë është teje sfiduese.

    “Puna e restaurimi është shumë sfiduese sepse është punë dore dhe i tërë suksesi varet prej materialit se sa eshtë i dëmtuar”, ka treguar ajo.

    Sipas Blertës suksesi në këtë profesion është hulumtimi i vazhdueshëm për të kuptuar metodat e reja që t’i aplikojë ato në mënyrë sa më profesionale.

    “Suksesi i profesionit është puna e vazhdueshme dhe hulumtimi i pandërprerë rreth të rejave në profesion”, ka theksuar ajo.

    Blerta me punën e saj në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës do të vazhdoj kontributin e saj në jetëgjatësinë e librave të vlefshëm.

    “Planet për të ardhmen janë restaurimi i vazhdueshëm i sa më shumë librave të vjetër dhe të rrallë sepse mbrojtja e tyre është mbrojtje e trashëgimisë kulturore te vet shtetit dhe kombit”, ka thënë ajo për AkademiPune.

    (Artikull i huazuar nga AkademiPune)

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark