×
  • Lajme
  • Lajme / Kosovë

    Blinkeni në fokus tensionet Kosovë-Serbi në takimin me ministrat e Jashtëm të NATO-s

    Insajderi
    28 November 2023 - 18:06
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken ka kthyer vëmendjen te Ukraina, NATO-ja dhe Ballkani Perëndimor pas javësh fokusi intensiv në luftën e Izraelit kundër Hamasit në Gaza, raportoi të martën “PBS News”.

    Në takimin e ardhshëm të ministrave të jashtëm të NATO-s që do të mbahet në Bruksel, aleanca do të riafirmojë mbështetjen e saj për mbrojtjen e Ukrainës kundër pushtimit të Rusisë, do të shqyrtojë mënyrat e zbutjes së tensioneve midis Kosovës dhe Serbisë dhe do të shikojë përgatitjet për 75 vjetorin e NATO-s vitin e ardhshëm.

    “Aleatët do të vazhdojnë të mbështesin vetëmbrojtjen e Ukrainës derisa Rusia të ndalojë luftën e saj të agresionit”, tha Jim O’Brien, diplomati më i lartë i SHBA-së për Evropën.

    Në një telefonatë me gazetarët të hënën, O’Brien tha se Blinkeni mund të udhëtojë në Shkup pas Brukselit për një takim të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë.

    Takimi i NATO-s në Bruksel do të trajtojë situatën në Ballkanin Perëndimor ku ka thirrje që NATO të rrisë praninë e saj ushtarake mes shqetësimeve se tensionet midis Kosovës dhe Serbisë mund të përshkallëzohen në konflikt të drejtpërdrejtë.

    Përveç Ukrainës dhe Ballkanit Perëndimor, ministrat do të diskutojnë gjithashtu planet për samitin e 75-vjetorit të aleancës që do të mbahet në Uashington në korrik 2024, në të cilin aleatët do të festojnë themelimin e NATO-s dhe do të nxjerrin në pah atë që liderët e quajnë aleanca ushtarake më e suksesshme në histori.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark