×
  • Lajme
  • Hulumtime/Analiza
  • Hulumtime/Analiza

    Bllokohet puna në anekset e QMF-ve në Prizren, ju mungon leja e ndërtimit

    Insajderi
    01 November 2023 - 16:28
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Komuna e Prizrenit javë më parë kishte filluar punimet për ndërtimin e katër anekseve në katër Qendra të Mjekësisë Familjare. Kjo ishte bërë pa leje ndërtimore. Bëhet fjalë për ndërtimin e anekseve në QMF’të në lagjen Dardania, në fshatin Zhur, në Reqan dhe në Gjonaj. Nga komuna kanë thënë se punimet aktualisht janë ndërprerë deri në pajisjen me lejet.

    Gazeta Insajderi

    Se ndërtimi i këtyre anekseve ka filluar pa u pajisur me leje ndërtimore e ka konfirmuar edhe drejtoresha e Drejtorisë së Shëndetësisë në Komunën e Prizrenit, Burbuqe Berisha. Sipas saj, as objektet bazike (QMF’të) nuk kanë leje ndërtimore.

    Ne si DKSH kemi bërë kërkesë për kushte ndërtimore në DUPH lidhur me ndërtimin e këtyre anekseve. Mirëpo pasiqë objektet bazike, pra QMF-të në të cilat janë planifikuar që të ndërtohen këto anekse, nuk kanë qenë të paisura me leje ndërtimore, prandaj edhe paisja e anekseve me leje nuk ka qenë e mundur“, tha Berisha për Gazetën Insajderi.

    Drejtoresha e Shëndetësisë tha se kanë filluar procedurat për legalizimin e objekteve të QMF-ve që më pas të marrin lejet për këto anekse.

    Kemi marrë njoftim nga DUPH për plotësim dokumentacioni për këto kërkesa dhe të njëjtëve u kemi kërkuar afat shtesë për plotësim, duke u bazuar tashmë në plotësim-ndryshimin e ligjit të legalizimit të objekteve pa leje, pasiqë tani është zgjatur afati për legalizim të tyre, ne kemi filluar procedurat që fillimisht të bëjmë legalizimin e objekteve të QMF-ve e më pas të marrim lejet për këto anekse“, u shpreh drejtoresha Berisha.

    Ajo tha se punimet janë pezulluar deri në marrjen e lejeve.

    Momentalisht, janë pezulluar punimet për këto projekte deri në përfundim të procedurave të marrjes së lejes“, ka thënë Berisha.

    Me 2 gusht të 2023, Komuna e Prizrenit kishte nënshkruar kontratë me grupin e operatorëve ekonomik “AAB Construction sh.p.k; Arhiko. ING O.P“, për ndërtimin e aneksit në Qendrën e Mjekësisë Familjare në fshatin Zhur.

    Vlera e kësaj kontrate ishte 43 mijë e 916 euro. Sipas njoftimit të publikuar nga komuna, ky ishte tenderi me çmimin më të ulët.

    Në 26 korrik të 2023, u nënshkrua kontrata për ndërtimin e aneksit në Qendrën e Mjekësisë Familjare në lagjen Dardania me vlerë prej 39 mijë e 201 euro e 50 cent.

    Kompania që fitoi tenderin ishte “Bajram HA.Gashi B.I“.

    Ndërsa, për ndërtimin e aneksit në Qendrën e Mjekësisë Familjare në fshatin Reqan u nënshkrua kontrata me vlerë prej 42 mijë e 175 euro e 50 cent.

    Edhe për këtë objekt u kontaktua kompania “Bajram HA Gashi B.I“.

    Komuna e Prizrenit dy javë më parë ka publikuar fotografi në faqen zyrtare në Facebook nga punimet në ndërtimin e aneksit në QMF’në në Reqan.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark