Një ndër emrat e njohur për organet e rendit si ‘bossi’ i kazinove në rastin e Karaçevës, i akuzuar për organizim të lojërave të fatit e kontrabandë, Mentor Maqani, ka rënë mbrëmë pas mesnate në prangat e Policisë, në fshatin Babush i Muhaxhirëve në Lipjan.
Siç raporton Sinjali me burime brenda Prokurorisë, 43-vjeçari Maqani është kapur nga Policia e Kosovës në flagrancë me armë ilegale, në parkingun e restorantit “Princesha Palace”.
Maqani është ndaluar për kontroll dhe verifikim nga një njësi policore, ku si rezultat i është gjetur një armë me mbi 10 fishekë, që e mbante pa poseduar leje.
Maqani, i cili ka të kaluar kriminale, përfundoi sërish mbrëmë në stacion policor pasi u arrestua dhe u shoqërua për intervistim, lidhur me veprën për armëmbajtje pa leje.
Ndaj tij, pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar caktimin e masës së ndalimit dhe dorëzimin e kallëzimit penal brenda afatit ligjor.
Mentor Maqani ishte njëri nga emrat e akuzuar për krim dhe korrupsion në Karaçevë.
Siç ka raportuar më herët Insajderi, InDoks në emisionet “Dosja e bixhozit” e “Dosja Karaçeva” si dhe emisionin “Mafiozi shqiptar” ka bërë një profil të të kaluarës kriminale të Maqanit. Ai është i bashkë-akuzuar me Ismet Osmanin-Currin, në një rast ku po ndiqen për fajde dhe më shumë se kaq, ku viktimë është biznesmeni Faton Dalladaku.
Te ‘Dosja e bixhozit’, i përfshirë në krime në industrinë e kumarit përmendet edhe vëllai i Mentor Maqanit, Flakroni.