×
Hulumtime/Analiza / Analiza

Dosja e bixhozit në Kosovë

Insajderi
11 October 2022 - 10:12
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

Në vitin 2019, iu vu dryni lojërave të fatit e Lotarisë së Kosovës. Në atëkohë kryeministri, Ramush Haradinaj me një iniciativë të shpejt e dërgoi në Kuvend, deputetë votuan pro mbylljes së kësaj industrie. Lojërat që dikur lejoheshin me ligj u ndaluan për 10 vite, por ato ilegale lulëzuan.

Visar Duriqi/Donjeta Islami  

Gati tri vite më vonë nga ai veprim, çka ka ndryshuar në fushën e lojërave të fatit në vend? Ndalimi i tyre a i ndaloi vërtetë kosovarët që të mos luajnë bixhoz? A e ndali kriminalitetin që ndërlidhet me këtë industri? Apo për këto vite vetëm janë rritur rastet e hetimeve e proceseve gjyqësore që lidhen me lojërat e fatit?

InDoks, për herë të parë para publikut sjell detaje ekskluzive se përse u akuzuan pronarët e bizneseve të bixhozit, dikur të ligjshme në vend. Si e bënin ata shpërlarjen e parave, sipas Prokurorisë. Cilët nga biznesmenë, dikur të bizneseve të ligjshme të bixhozit tash janë kapur duke bërë bixhoz ilegal.

Java e parë e tetorit të këtij viti do të niste me një operacion të madh policor. E emëruan në emër të dikur një bastorje me nam në Kosovë, “Toto”. Operacioni çoi në pranga 13 persona për një natë që po dyshohen për fajde e bixhoz ilegal.

Serkan Gunay, Armend Danqeli, Demokrat Kurtaj, Hetem Xhekaj, Burim Kurtaj, Adem Gashi, Agim Suka, Enis Gunay dhe Visar Tabaku, janë në mesin e të arrestuarve. Pos këtyre qytetarëve u arrestua edhe polici Luan Bytyqi.

Pos tyre, Operacioni “Toto” çoi në paraburgim edhe një babë me të dy djemtë. Safet Kyqyku me dy djemtë, Ilirianin e Përparimin janë arrestuar në këtë operacion, që informacionet e para tregojnë për sekuestrim të mijëra euro para kesh e shumë vetura.

Babai me djemtë që ranë në radarin e hetuesve në operacionin “Toto” nuk janë të panjohur për Prokurorinë. As nuk janë të panjohur për industrinë e lojërave të fatit, dikur e ligjshme në Republikë.

Emri i Safet Kyqykut është përmendur si i pari në një dosje të trashë të Prokurorisë që është në proces gjykimi në Prishtinë. Aty janë listuar 27 të akuzuar.

Ai ishte pronar i rrjetit të bastoreve Tipsport365. Sipas regjistrit të bizneseve kishte hiç më pak se 50 njësi, të shtrira në tërë territorin e vendit.

Dosja që është deponuar në Gjykatë për këtë të akuzuar thotë se ai u ka mundësuar klientëve të bastoreve të tij që të luajnë madje edhe në aparate të pa-licencuara që i kishte. Kjo praktikë është gjetur një në shumë e shumë raste, dhe madje atij iu gjetën edhe organizim i lojërave me qen, që edhe ashtu ishte i palejuar edhe me ligjin e vjetër.

Hetuesit kishin gjurmuar edhe në transaksionet e tij financiare, në shuma të mëdha, që herë shkrueshin si huazim e herë si kthim huazimi. Në disa raste, paratë ishin bartur edhe brenda familjes nga babai tek djali dhe më vonë ishin nxjerrë jashtë vendit përmes kompanive si MonyGram e ËeternUnion për të përfunduar te persona në Shqipëri, Maqedoni e deri në Bullgari. Dhjetëra transaksione që Prokuroria po i konsideron të dyshimta. Shuma totale e transaksioneve, mbi 340 mijë euro. Një pjesë të transaksioneve i kreu me një biznes krejt tjetër të tij, që nuk ishin bastoret, por një kompani për tregti.

Armend Danqeli pronar i biznesit “Euro Game” akuzohet në bashkëkryerje me Safet Kyqykun kanë organizuar lojëra të fatit për të cilat nuk kanë pasur licencë.  Danqeli, që kishte të regjistruar një biznes bixhozi me 30 njësi, akuzohet se shfrytëzonte lokalin e Kyqykut në Prizren për lojërat e fatit të “TipSport”, ky lokal ishte mbyllur paraprakisht nga ATK-ja. Derisa ishte hapur në mënyrë të paligjshme nga të pandehurit në fjalë. Aparate të pa-licencuara e mundësim i përdorimit të tyre nga klientët ishte gjetur në shumë raste gjatë hetimit.

Në lidhje me këta dy biznesmenë janë akuzuar edhe menaxherët që lidhen me bizneset e tyre si  Zenun Zenuni, Besnik Aliu, Blerim Blakaj e Burim Bytyqi.

Por, Burim Bytyqi del që të jetë më shumë se sa menaxher. Ai kishte një firmë me emrin “Financial Advising Services” ku ka bërë transaksione të shumta brenda e jashtë vendit. Prokurorisë iu deshën tri fae të plota të mbushura me shumë të dhëna teknike që të ia përshkruanin gjykatës se pse e dyshojnë për shpërlarje të parave këtë të akuzuar. Në fund, dosja zbulon se ai ka qarkulluar mbi 700 mijë euro, dhe një pjesë e mirë e tyre janë shkruar si huazim e kthim borxhi.

Në raste të tjera të hetimeve për fajde, Prokuroria kur kishte parë raste të shumta të tilla si huazim e kthim borxhi, kishte ngritur dyshime edhe për fajde.

Po për transaksione të dyshimta që lidhen me Safet Kyqykun, Prokuroria ka akuzuar edhe Bekim Kyqykun. Ai depononte para kesh në bankë që shkonin në xhirollogarinë e Safet Kyqykut.

Ardian Kuqi po akuzohet duke qenë në dijeni dhe me dashja ka ndihmuar pronarin e “Euro Game”, Armend Danqelin si dhe pronarin e “TipSport365”, Safet Kyqykun në sigurimin e automateve që përdorën për veprimtarin e lojrërave të fatit. Kuqi po akuzohet se ka kryer veprën penale “ndihma” ldihur me veprën organizim I skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm.

Në këtë aktakuzë me 27 persona është përfshirë edhe Flakron Maqani. Edhe ai ka pasur në pronësi biznese të regjistruara të bixhozit, derisa hetimi nxjerr se ai ka lënë klientët që të përdorin edhe  aparate të palicencuara, por në disa raste kishte organizuar edhe lojëra komplet ilegale derisa ky biznes ishte i ligjshëm në Kosovë. Edhe atij i janë hetuar transaksionet, që për Prokurorinë janë të dyshimta, dhe vlera e tyre e kalon shumën 100 mijë euro. Si menaxher i bizneseve të Maqanit, i akuzuar në këtë rast është edhe Naser Pervetica.

Flakroni është vëllai i Mentor Maqanit. Ky i fundit është edhe më i njohur për Prokurorinë, derisa InDoks ka raportuar për të edhe në dokumentarë të tjerë. Ai është i bashkë-akuzuar në rastin e njohur si rasti i Ismet Osmanit-Currit, si dhe po ashtu në një dosje të madhe të Prokurorisë për kazinotë e paligjshme në Karaçevë.

Nexhat Ejupi, Nehat Ejupi dhe Hasan Ejupi  nga Shtimja akuzohen se si pronarë të lokalit “Lumi Sport” në Prishtinë se bashkëkryerje kanë organizuar lojëra të fatit  në mënyrë të paligjshme deri në vitin 2016. Aty përdoreshin automate të pa licencuara. Hetuesit kanë gjetur se Ejupët diku kanë nuk kishin as leje për baste as leje nga komuna, e në disa pika kishin leje për baste, por jo për lojëra të fatit, por megjithatë ata e bënin këtë biznes gjithsesi.

Dosja e Prokurorisë zbulon se hetimi i tyre ka gjetur se këta tre të akuzuar përmes xhirollogarisë së biznesit kanë bërë transaksione në Zvicër në shumën mbi 1.8 milionë euro.

Transaksionet e tyre shkojnë prej Kosovës në Shqipëri, Maqedoni, Serbi, nëpër vende evropiane si Angli e Holandë, pastaj në Maltë e deri në vende afrikane si Gana. Transaksionet here kryheshin me xhirollogari e herë kryheshin me Ëestern Union. Prokuroria pretendon se këta persona dyshohen për shpërlarje parash pasi që në transaksionet e tyre qëllimisht kanë tentuar të hutojnë institucionet mbikëqyrëse duke bërë shumë transaksione si huazim e kthim huazimi, pastaj pazar i ditës e pagesa faturash. E kanë fshehur burimin e parave të dyshimta, duke i përzier ato me paratë e fituara në mënyrë të ligjshme, pretendon Prokuroria.

Bashkë me ta janë akuzuar edhe njerëz të ndërlidhur me ta, kryesisht menaxherë në biznesin “Lumi Sport” si Besim Bllaca, Trimor Dushakja, Driton Shabanit, Burim Sadiku, Arber Hoti dhe Agron Limani.

Blerim Imeri, pronar i lojërave të fatit “Matrix”, është pjesë e aktakuzës së madhe të Prokurorisë. Edhe ai dyshohet se në disa nga pikat e biznesit të tij ka organizuar edhe veprimtari të paligjshme bixhozi derisa vet bixhozi ishte i ligjshëm në Kosovë.

Bashkë me të janë akuzuar edhe Petrit Neziri që ishte menaxher i pikës në Prishtinë të “Matrix Shpk” Pos tij në lidhje me biznesin e Blerim Imerit është akuzuar edhe një tjetër ish-menaxher i tij, Avni Berisha, pastaj Afrim Rifati e Idriz Jakupi, po ashtu menaxherë në këtë biznes.

Transaksionet e këtij biznesi del që kryesisht janë kryer nga menaxheri Petrit Neziri. Janë dhjetëra transaksione që i ka fut Prokuroria në dosje, e aty përsëri figurojnë format si borxh e kthim borxhi, e para që qarkullojnë edhe nga Kosova për në Slloveni. Prokuroria po i konsideron të dyshimta. Shuma e transaksioneve që janë futur në dosje shkon në afro 300 mijë euro.

Sipas kësaj dosje pronari i “Game Plus”, Istref Veliqi dhe pronari i “TotoSport365”, Sabri Brahimi lokalet e të cilëve ndodhën në Isrog në bashkëkryerje kanë vepruar në kundërshtim me ligjin për lojëra të fatit. Ata ju kanë mundësuar pjesëmarrëseve të ndryshëm përdorimin e 7 automateve për të zhvilluar lojëra të fatit. “Kajot , Racing Dogs, Keno “,  ishin disa prej llojeve të automateve.

“Kjo është shumë e çuditshme, fillimisht jemi një grup të akuzuar, të cilët s’kemi të bëjmë me as njëri me tjetrin, secili ka operuar individualisht dhe që ishte deshur të jemi të akuzuar, në rast se ka pasur diçka ka deshtë me qenë të akuzuar individualisht sepse jemi kompani në vete. Jemi bërë një grup i madh i njerëzve të cilët kanë operuar, jemi akuzuar të gjithë përnjëherë për të bërë një boom të madh  sikur kishe ne punojmë jashtëligjshëm”, tha për InDoks Istref Veliqi, Kryetar i ShBLFK.

Insajderi ka tentuar që të kontaktoj të akuzuarit e përfshirë në këtë dosje, por edhe ata që ka arritur që ti kontaktoi kanë refuzuar që të flasin. Për çudi, as avokatët e tyre nuk kanë pranuar që të flasin për këtë aktakuzë dhe procesin gjyqësor.

Istref Veliqi që drejtonte Shoqatën e Bizneseve të Lojërave të Fatit, sa këto biznese ishin legale në Kosovë, dhe i akuzuar në këtë rast ka pranuar që të flas për InDoks. Si e sheh vet ai aktakuzën dhe të akuzuarit, kryesish biznesmenë, anëtarë të shoqatës që ai e kryesonte.

“Shumica, po them ndoshta ka ndonjë shkelje aty-këtu, por të gjithë ata njerëz që janë të akuzuar kanë qenë duke punuar ligjshëm, kanë pasur licence, punëtorë të lajmëruar, kanë paguar tatim ndoshta ka pasur ndonjë shmangie të tatimit apo shkelje ndokund por për ato nuk ishte dashur neve pas mbylljes të gjithëve përnjëherë me na fut në aktakuzë. Unë mendoj që kjo ka qenë një aktakuzë me arsytu veprimin e tyre, veprimin e mbylljes në njëfarë mënyrë që ne paskemi qenë të jashtëligjshëm, çka nuk është e vërtetë aspak, ne të gjithë kemi punuar ligjshëm, dhe kemi paguar taksa shtetit, për tatim-fitim, punëtorët i kemi pasur të lajmëruar, trustin të gjithë”.

Ndaj Veliqit rëndon akuza për organizim të skemave piramidale. Ai e përqesh këtë akuzë.

“Aktakuza jem personalisht është shumë shumë qesharake, fillimisht jam i akuzuar për shmangie të tatimit që nuk ka asnjë bazë. Unë rri lirshëm se e vërtetojë 100% të kundërtën, 2) ju ka besu ajo ekspertiza një personi të ATK-së i cili ka qenë i suspenduar një kohë të gjatë për korrupsion, për dyshim korrupsioni, i cili mua personalisht se e them haptazi por spo ja them emrin, më ka taku mua paraprakisht dhe më ka thënë ne duhet me bë diçka që aktakuzë nuk është në rregull. Duhet me bë diçka, më ka takuar në këtë lokalin tash këtu ku jemi, i them atij zotëriut nuk kanë nevojë më bë asgjë se unë jam në rregull”.

Veliqi në këtë intervistë për InDoks ngrit dyshime që zyrtari i Administratës Tatimore që kreu ekspertizën, edhe mund ti ketë kërkuar ryshfet.

“Po në thojza po, në mënyrë direkte jo por indirekte po njëfarë mënyre pse vjen me të taku një hetues i ATK-së me të taku ty personalisht.   Para se me përfundu aktakuzë, unë ja kam thënë edhe në gjyq këtë punë edhe gjyaktë edhe ka me thënë sepse ai absolut nuk është i besueshëm për me bë një ekspertizë financiare as nuk e ka tani. Ne kemi bërë ankesë në komisionin ne si firmë që jemi tash në gjykatë, kemi bërë ankesë për shkak se ka qenë ekspertiza ose barazi ka qenë shumë e pa logjikshme dhe ka pasur dëshmi të cilat ne me ia dëshmu çdo kohë, por ska deshtë ska pranu zotëria, tjetra ka qenë ne kur kemi bë anekse, ankesa na u ka pranu, na u ka rikthy ankesa, pastaj e ka marrë një grup tjetër dhe arsyetimi i tyre ka qenë që ne nuk guxojmë policisë ose atë ekspertizë paraprake nuk guxojmë me prek. Tash jemi në gjykatë, edhe nuk e kanë vazhdu e kanë lënë qysh e ka bërë i pari dmth neve na kanë dhënë komisioni të drejt por pastaj nuk u bë asnjë hap për me vërtetu edhe njëherë atë dhe tani jemi në gjyq”, u shpreh ai.

Veliqi përmendet edhe në një aktakuzë tjetër të ngritur më 8 janar 2021, ku janë edhe 12 persona të tjerë: Astrit Krasniqi, Arben Krasniqi, Blerim Imeri, Skender Fetaj, Flakron Maqani, Armend Danqeli, Xhavit Krasniqi, Bylbyl Hebibi, Nexhat Ejupi, Habil Krasniqi, Kreshnik Myrtollari dhe Dodë Rica. Nga kjo aktakuzë Edmond Jakupi dhe Tahir Bërbatovci e kanë pranuar fajësinë dhe janë dënuar me 2 vite burgim me kusht.

 Astrit Krasniqi akuzohet përmes biznesit “Play 4 Ëin”, ka ndërhyrë në numëratorët mekanik dhe elektronik të automatëve, i ka dizajnuar dhe adaptuar në atë mënyrë që me numrin total të kombinimeve të mos ua paguajë lojtarëve 80% nga vlera e pagesave të realizuara përmes shënimeve të hyrje-daljeve nëpërmjet treguesit mekanik. Ai se ka kryer shmangie tatimore në vlerë mbi gjysmë milioni euro e pastaj ato para i ka investuar në biznese dhe prona, duke kryer shpëlarje të parave në shumën prej mbi një milion euro.

Edhe vëllai i tij, Arben Krasniqi po akuzohet përmes biznesit “Apex Gaming Kosova”, ka ndërhyrë në 14 numëratorë dhe i është shmangur tatimit në vlerën mbi afro 300 mijë euro dhe ka kryer po ashtu shpërlarje parash.

Istref Veliqi akuzohet se për ndërhyrje në ndërhyrë në numëratorët dhe se ka kryer shmangie tatimore në shumën prej 475 mijë  eurosh. Ai ngarkohet se ka kryer shpëlarje të parave në vlerë prej 698 mijë euro.

Ndërhyrje ne numëratorë është akuzë për pothuajse të gjithë këta persona, si dhe për Blerim Imerin, që po ashtu akuzohet se ka bërë shpëlarje të parave në vlerën prej 1.2 milionë eurosh.

Skender Fetaj po akuzohet me biznesin “EGKT II”, pos tjerash se ka arritur të shpërlaj mbi 1.6 milionë euro

Flakron Maqani akuzohet, pos tjerash se ka bërë shmangie tatimore në vlerë prej mbi 1.3 milionë eurosh dhe ka arritur të shpërlajë mbi gjysmë milioni.

Xhavit Krasniqi akuzohet se me biznesin “Invest Kosova” Sh.P.K  pos ndërhyrjes nëpër aparate të lojërave të fatit ka bërë mbi 250 mijë e shmangie tatimore e shpërlarje parash në vlerën mbi 180 mijë euros.

Habil Krasniqi po akuzohet se si pronar i “Loni Sport” ka bërë shpërlarje parash në vlerën mbi 250 mijë euro e Kreshnik Myrtollari përmes biznesit “Club Gold”, ka kryer shmangie tatimore në shumën prej mbi 600 mijë eurosh.

Kur lojërat e fatit u mbyllën në Kosovë, bizneset e kësaj industrie kishin paralajmëruar padi ndaj shtetit të Kosovës. Do të kërkonin dëmshpërblim për mbylljen e shpejt, pasi që pretendonin se janë dëmtuar duke pasur kontrata afatgjate qiraje, kontrata pune e licenca të paguara. Plus fitimi i planifikuar.

“Sipas shoqatës edhe mendimi jem personal e kolegëve të tjerë që janë pjesë e kësaj, vendimi ka qenë arbitrar, i jashtëligjshëm, arbitrar brenda natës unë mendoj që ka qenë i pa matur i pa menduar mirë, dmth ka shkaktua pasoja dhe dëme ekonomike të mëdha edhe për buxhetin e Kosovës por edhe për kompanitë të cilat kanë bërë një intevstim të madh, gjatë kohëve kur kanë operu ligjshëm, ekzistonte një ligji i cili të ka dhënë mundësinë me operu dhe brenda natës me u ndalë, ne mendojmë që ka qenë vendim shumë i shpejt edhe shumë i dëmshëm.  Shumica e firmave edhe unë personalisht kemi bërë padi, individuale për dëmet të shkaktuara për planifikimet që i kemi pasur, për investimet që i kemi pasur, atë ditë i ka bërë secili pranë gjykatave themelore, tash pritet gjykata komercial ka me kalu padia në gjykatën komerciale.  Nuk na kanë thirrur por paditë janë procesu”, tha Kryetar i ShBLFK.

Derisa kompanitë e lojërave të fatit po depononin padi civile pas mbylljes me votën e deputetëve, Prokuroria po i vazhdonte hetimet. Brenda një viti ngriti aktakuzën që tashmë është në proces gjyqësor. 27 të akuzuar, kryesisht pronarë biznesesh të bixhozit e menaxherë të tyre. Si e sheh vite pas këtë veprim Veliqi?

“Unë me një emision me kohën kur u merreshim me aksion apo kur ish në mbyllje e sipër. Ju kam thënë e vetmja gjë që ka me ndodh nuk është ndalimi i lojërave të fatit ka me u ndalu lojërat e fatit kanë me u ndalu vetëm të ligjshme, ilegalat kane me lulëzu edhe është e vërtetë kanë lulëzu i ke nëpër kufina, në Karaqevë në kufi, unë personalisht mora një ftesë që është hap një në kufi me Kosovën, në rast se shkon Maqedoni i ki krejt makinat janë prej Kosovës, para disa dite isha në Tiranë i ki shumicën e lojëtarëve të Kosovës, gjë që e qon buxhetin në Tiranë në Hotel Plaza që janë kazionit live që lejohen… dmth të ardhurat e buxhetit të Kosovës kanë shkuar diku tjetër, edhe pse këtu ilegalizimi se jam largu prej asaj pune jam tërheq duke u marrë me bizneset tjera por lojërat e fatit nuk ndalohen në rast… jo këto munden me u kontrollu por në rast se lojërat të fatit qenkan një e “keqe”  atëherë duhet mi kontrollu, vetëm ligji, legaliteti e ndalon ilegalitetin e vetmja gjë që mundet me u bë. Gjithkund në botë ku janë ndalur ligjërisht, ilegalisht lulëzojnë edhe kriminaliteti rritet, ajo është shumë e vërtetë”.

InDoks muaj më parë pati transmetuar dokumentarin ekskluziv “Dosja Karaçeva”. Për organizim të bixhozit ilegal dhe për krime të tjera të kryera në atë territor janë akuzuar 73 persona.

Derisa operacioni i udhëhequr nga IPK-ja si hetim, nxori se krimi në Karaçevë ishte aq i madh sa u akuzuan 73 persona, muaj para se ky operacion të realizohej, Albin Kurti atëherë kryeministër mundohej ta minimizonte. T’iu tregonte organeve të rendit që të fokusoheshin në Prishtinë.

“Unë besoj që po tu thosha unë po do të vinte edhe urdhri, mirëpo u detyrova të them që numri më i madh i të korruptuarve dhe kriminelëve për metër katror në aspektin ekonomik… ka pasur të bëjë me krim e korrupsion pa hollësi  vetëm më thuhej gojarisht pa asnjë tekst… Çështja është se unë thashë që numri më i madh i kriminelëve për metër katror është në kryeqytet si bëhet që vazhdimisht duhet të luftohet krimi e korrupsioni diku ku do të fërkohemi me Serbinë, ndërkohë që nuk ke plan se si do të vazhdohet më tutje sepse e dini nuk ka vetëm dështime spektakolore por ka edhe dështime katastrofale, ti mund të arrestosh 4 veta por nëse ngritën barrikada për shkak të 4 vetave ti ke dështuar sërish…”.

Ani pse po flitej për një operacion të madh kundër bixhozit ilegal e kontrabandës në kufi, Albin Kurti duke folur për këtë operacion, nuk i kalonte inati me Agim Veliun, ish-ministrin e brendshëm të tij që e kishte shkarkuar- një vendim që e nisi ortekun politik që do ti jepte fund qeverisë së tij të parë.

“Nuk kam aprovuar unë gjë sa i përket luftimit të krimit e korrupsionit sepse unë kam qenë bartës i krimit e korrupsioni për një operacion specifik policor gjithmonë kërkohej prej meje nga ish-ministri që kjo të ndodh diku ku ka edhe probleme politike. Unë sot besoj që pikërisht ndërhyrjet e tilla dhe mungesa e këtyre ndërhyrjeve kanë qenë një lojë e presidentit kur kolaboracionist ka qenë ish-ministri i brendshëm”.

Lojërat e fatit u ndalën me votim të shpejt në Kuvendin e Kosovës. Aq shpejt sa në atë kohë Vetëvendosje në opozitë shprehej e befasuar pse. Për InDoks në atë kohë kishte folur deputeti Xhelal Sveçla, aktualisht Ministër i Punëve të Brendshme.

Por, ndalimi i tyre me ligj a e ndaloi këtë veprimtari? Hulumtimi i InDoks, që u publikua në dokumentarin “Dosja Karaçeva”, pati zbuluar se madje nga kjo veprimtari ilegale nuk kishin qëndruar larg as zyrtarët e shtetit që janë të betuar për ta mbrojtur ligjin.

Sipas dosjes së hetuesisë, të akuzuar pas këtij operacioni janë zyrtarët policor:  Ferid Leci, Hydush Kastrati, Sokol Keka, Imer Spahiu, Fatmir Kallaba, Asllan Kryeziu, Feat Zeqiri, Raif Thaqi, Selami Geci, Slavisha Nikoliç, Zlatan Arsic, Naim Krasniqi, Naim Selishta dhe Fitim Kryeziu.

Pjesa tjetër e të akuzuarve janë qytetarë, përfshirë këtu edhe biznesmenë. Lista është e gjatë. Ajo përmban këta emra: Driton  Spahiu,  Albert  Thaçi, Albert Sadiku, Blerim  Spahiu, Fatmir  Spahiu, Agron Spahiu, Naim Kryeziu, Sead Dermaku, Blend Spahiu, Fadil Spahiu, Vigan Spahiu, Lirik  Morina, Fatmir Veseli, Ismail Veseli, Sadik Sadiku, Mevlan Spahiu, Fatos Morina, Burim Fazliu,  Enis Keka, Florian Sylejmani, Rexhep Spahiu, Nehat  Morina, Hesat  Rrudhani, Përparim Shabani, Arsim Dërmaku, Fatlum Bajrami, Adhurim Thaqi, Faton Kryeziu, Lirim Spahiu, Jusuf  Hasani, Nadir Shantir, Shani  Kryeziu,  Kujtim Morina,  Umer Arapi, Bajram Rahmani,  Armin Huduti, Hilmi Mullallari, Jeton Buquku, Bekim Bajrami, Bujar Ajeti, Ylber Fera, Lulëzim Gashi,  Idriz  Kurteshi, Feta Leci, Naser Leci, Denis Hyseni, Mustafë Leka, Bekim Gashi, Qamil Memeti, Mentor Maqani, Sherif Ilazi, Muharrem Morina, Nazim  Rulani, Afrim Thaqi,  Ibush  Fazliu, Xhelal Kryeziu, Artizan Thaqi, Vullnet Bytyqi dhe Sylejman Ismajli.

Biznesmeni që bie më në sy është edhe Mentor Maqani. Ai akuzohet si pronar i një kazinoje ilegale në Karaçevë, në të cilën u gjetën mbi 30 aparate lojërash fati. Ai në dosje përmendet hiç më pak se 43 herë.


Mentor Maqanit së fundmi nga Prokurori i është ngritur edhe një aktakuzë tjetër. Ai akuzohet bashkë me Ismet Osmanin-Currin.

Edhe në kohën kur InDoks po e përgatiste për transmetim dokumentarin “Dosja e Karaçeves”, biznese të reja kumari ilegal ishin krijuar atje. Edhe tash kur po transmetohet ky dokumentar, në tetor 2022 përsëri atje vazhdojnë të operojnë po ashtu biznese të bixhozit ilegal. Biznese të bixhozit ilegal, herë në përmasa më të mëdha, si operacioni “Toto” i fillimit të tetori 2022, e herë në përmasa më të vogla pothuajse cdo javë mbyllen në Kosovë. Arrestohen kosovarë për organizimin e tyre. Derisa kosovarët pos në biznese ilegale, shkojnë për të bërë bixhoz edhe në vendet fqinj. Një pyetje ende ka ngelur pa përgjigje përfundimtare: Çka u arrit me mbylljen e kësaj industrie me votë të deputetëve?

“Ne me deputetë nuk kemi folur sepse nuk kemi absolut kontakt ,po të them se kam qenë duke u marrë me biznese tjera për me mbijetu, dmth se edhe pandemia edhe gjërat tjera, por shpresojmë që qeveria ose shteti ti thirrë mendjes e sheh çka po ndodh nëpër kufirit e Kosovës së ku po shkon buxheti i Kosovës se ilegalitetit ka me lulëzu dhe gjithë Policia e Kosovës me u qu në këmbë nuk munden me ndalu, se ata njerëz që kanë varësi nuk munden me kontrollu. S’kanë mujt kurrë me kontrollu, shpresojmë që shteti i thërret mendjes dhe e bën një ligj, i cili të jetë rigoroz, i kontrolluar dhe përfiton si krejt bota, përfiton edhe shteti prej saj”, tha Veliq në InDoks të Gazetës Insajderi.

Lista e plotë – emrat e personave kush po ndiqet nga shteti për krim në industrinë e kumarit?

I dënuar e me aktakuzë – InDoks sjell historinë e Safet Kyqykut që u arrestua për bixhoz bashkë me djemtë

Shmangie nga tatimi – Kush është ‘bixhozgjiu” që i shkaktoi dëme shtetit të Kosovës afro 60 mijë euro

“1.8 milionë euro të transferuara në Zvicër” – Kush janë Ejupët që po akuzohen nga Prokuroria për shpëlarje parash të fituara nga bixhozi

“Biznese ilegale, shmangie tatimore, mbi gjysmë milioni shpëlarje parash” – InDoks sjell në detaje akuzën ndaj biznesmenit Flakron Maqani

“Mbi 1 milionë shpërlaje parash” – Për çka tjetër po akuzohet pronari i lojërave të fatit “Matrix” Blerim Imeri?

“Lojërat e fatit legale u ndaluan por ato ilegale janë duke lulëzuar nëpër këto vende”

“Shumica kanë punuar ligjshëm” – flet kryetari i ShBLFK-së për aktakuzën e ngritur ndaj tij dhe të tjerëve

Shpëlarje e parave të dyshimta edhe duke blerë prona, akuzat që rëndojnë mbi vëllezërit Krasniqi të ‘Apexave’

OP-ED
Nga Rubrika

© 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Impressum

Kontakt

Trademark