Insajderi
Biznes

BQK-ja sqaron shtyrjen e afatit të kësteve të kredive

Insajderi
01 June 2020 - 11:16
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Banka Qendrore e Kosovës ka sqaruar rreth shtyrjes së afatit të kësteve të kredive, pas raportimit se ky institucion ka shtyrë pagesën e tyre.

BQK-ja ka sqaruar se nuk është marrë asnjë vendim i ri për shtyrje të serishme të afatit të pagesës së kësteve të kredive.

“Edhe njëherë sqarojmë se në fuqi mbetet vendimi që afati i shtyrjes së pagesës së kësteve të kredive të jetë 3 muaj, nga data 16 mars deri me 16 qershor 2020 për kredimarrësit, të cilët kanë hasur vështirësi financiare, si rezultat i rënies së të hyrave personale apo biznesore për shkak të Covid 19”, thuhet në njoftimin e BQK-së.

Me tutje BQK-ja sqaron se gjatë kësaj periudhe institucionet kredidhënëse nuk do të aplikojnë interes ndëshkues për kredimarrësit.

“Sikurse kemi informuar edhe më herët, gjatë kësaj periudhe institucionet kredidhënëse nuk do të aplikojnë interes ndëshkues, nuk do të aplikojnë ndryshim të klasifikimit kreditor ndaj kredimarrësve dhe BQK-ja nuk do të kërkojë provizione shtesë nga këto institucione, për kreditë e shtyra. Ndërkohë, interesi i rregullt për këta tre muaj do të përllogaritet, pagesa e të cilit do të shpërndahet për periudhë së paku gjashtëmujore apo më herët, në rastet e maturimit të kredive para kësaj periudhe”, theksohet në sqarim.

BQK-ja kërkon nga institucionet kredidhënëse të zbatojnë këtë kërkesë, me qëllim të lehtësimit dhe të ruajtjes së likuiditetit të kredimarrësve gjatë kësaj periudhe të ndërprerjes së aktivitetit të shumë veprimtarive ekonomike për shkak të pandemisë.

“BQK-ja, do të vazhdojë së monitoruari me shumë kujdes zhvillimet ekonomike dhe ato në sektorin financiar në mënyrë që të japim kontributin tonë të mëtejmë në rimëkëmbjen e ekonomisë, por gjithmonë duke vendosur në plan të parë ruajtjen e stabilitetit financiar që është edhe detyra parësore e BQK-së”, përfundon sqarimi i Bankës Qendrore të Kosovës.   /Insajderi.org


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark