×
  • Lajme
  • Lajme

    Brestovci kërkon lehtësimin e votimit për diasporën

    Insajderi
    02 February 2021 - 18:07
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Fuqia e votës së diasporës është rritur shumë. Nga procesi zgjedhor i vitit 2017, ku diaspora votonte përmes postës dhe as 6 mijë vota nuk ishin llogaritur, tashmë mërgata jonë është determinuese për të zgjedhur ligjvënësit e vendit.

    Sipas kandidatit të Nismës Socialdemokrate që vije nga mërgata, Bekim Brestovcit, këto zgjedhje janë një moment historik për diasporë dhe fuqizimin e saj në vendimmarrje. Megjithatë, sipas tij fuqia e diasporës do të rritej edhe nëse do të mundësohej një proces më i lehtë i votimit. Në këtë drejtim, secili pjesëtar që ka aplikuar për të votuar, ka kaluar nëpër procedura të ngarkuara dhe qesharake, vetëm e vetëm për të qenë pjesë e një procesi të tillë.

    Andaj, për Brestovcin, format e votimit nga diaspora duhet të jenë të ndryshme dhe jo vetëm një mundësi për një trup votuese rreth gjysmë milioni qytetarë me të drejtë vote.

    “Pos votimit me pjesëmarrje fizike në kuti të votimit duke ardhur nga diaspora, dhe votimit me postë, do të kërkojmë që diasporës t’i mundësohet edhe votimi në forma të tjera të votimit, siç është votimi nëpër misione diplomatike e konsullore”, tha Brestovci.

    Duke arsyetuar kërkesën e tij rreth votës nëpër pikat diplomatike e konsullore, kandidati i Nismës Socialdemokrate me numër 11 për zgjedhjet e 14 shkurtit, thotë se “Kjo do të kursente kohë dhe para pasi që votuesit nga diaspora nuk do të kishin nevojë të vinin në Kosovë”.

    “Votat do të numëroheshin aty për aty, nën vëzhgimin e një përfaqësuesi nga KQZ apo do të mund të dërgohen me një zarf të vetëm dhe të sigurt në Kosovë. Përzgjedhja e një ambasade/konsullate për një rajon të caktuar që do të përfshinte disa shtete do të ndihmonte që një numër i madh i votuesve nga diaspora të udhëtonte një distancë jo shumë të gjatë për të votuar”, thotë Brestovci.

    Ai poashtu përmend edhe votimin elektronik si një formë të shpejtë dhe efikase, megjithatë tërheq vërejtjen për mundësinë e manipulimit të votave.

    “Mundësia e manipulimit të rezultateve nga ndërhyrje të mundshme është mjaftë e lartë. Përgatitja e një sistemi nga zeroja që do të mbronte informatat e votuesve dhe transmetimin e të dhënave është e komplikuar. Poashtu, nevojitet një kornizë ligjore për caktimin e kritereve për identifikimin e votuesve që do të përdoronin votimin elektronik”, thotë Brestovci.

    Një prej formave me koston me të ulët sipas Brestovcit, është edhe metoda që do të lejonte votuesit nga diaspora që të autorizojnë dikë në Kosovë të votojnë në vend të tyre.

    “Që secili prej jush që jeni në diasporë të votoni më lehtë, e përmes votës suaj të depërtoni nëpër institucionet vendimmarrëse qendrore, dhe rrjedhimisht të dëgjohet zëri juaj, atëherë kërkoj votën tuaj. Pra, votoni Nismën Socialdemokrate që brenda listës saj ka pesë kandidatë nga diaspora, dhe më votoni mua me numër 11”, bënë thirrje Brestovci.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark