Xheneta Uka

Xheneta Uka -

15:00 - 08 Mars 2022

Biznesmeni multimilioner, Abedin Salihu, është njëri nga të dyshuarit për rastin “Brezovica”. Gazeta Insajderi merr vesh se Salihu është në kërkim të Policisë së Kosovës pasi që nuk ka mundur të arrestohet gjatë bastisjes në shtëpinë e tij në Lipjan, shkruan Gazeta Insajderi.

Në aksioni “Brezovica 3 ”, javën e kaluar u vunë nën pranga të Policisë së Kosovës tetë persona për shkatërrim dhe të degradim të Parkut Kombëtar të Sharrit.

Ne mesin e këtyre personave kishte zyrtarë të Ministrisë së Mjedisit për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe biznesmen të kompanive ndërtimore, të cilët dyshohen për dhënie të ryshfetit.

Gazeta Insajderi mëson nga burimet se në arrati gjendet edhe një biznesmen tjetër nga ky grup.

Pronari i kompanisë ndërtimore “Dino” Sh.P.K. dhe hotelit “Brezovica Hotel Spa”, merr vesh Insajderi se është i dyshuar për përfshirje në aferën “Brezovica” por që është arratisur.

Ky burim ka thënë se shtëpia e multimilionerit është bastisur por i njëjti nuk ishte gjetur aty.

Shtëpia e tij në Komunën e Lipjanit, është bastisur mëngjesin e së premtes nga Policia e Kosovës, në operacionin “Brezovica 3”.

“Janë bastisur pesë lokacione: një në Lipjan, një në Skenderaj e pesë të tjera në Prishtinë”, tha Rasim Maloku, Kryeprokuror i Prokurorisë në Ferizaj.

Multimilioneri që po ik shtetit

Abedin Salihu, i dyshuar për në aferën e lejeve ndërtimore në Brezovicë, është udhëheqës i disa bizneseve afariste, kryesisht në fushën e ndërtimit dhe minierave e mineraleve, shkruan Gazeta Insajderi.

Salihu, po ashtu është pronar i njërit prej hoteleve më të famshme të Brezovicës,

“Brezovica Hotel Spa”, është biznesi që mban pronësi Salihu.

Hotel luksoz në Brezovicë

Ndërsa, kompania e tij, “Dino” Sh.p.k. është një biznes i cili ndërton objekte banesore dhe jobanesore.

Në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve, “Dino” Sh.P.K. figuron të ketë kapital prej rreth 150 mijë euro.

Në pronësi të tij figuron edhe kompania “BELLIS IMMO SH.P.K.”, e cila kompani po ashtu mere me ndërtimtari.

Bizneset në pronësi të Abedin Salihut

Salihu përveç bizneseve, ka bërë investime edhe në sport. Ai është president dhe donator i klubit të futbollit “FC Ulpiana”.

Klubi FC Ulpiana

Biznesmeni Salihu shihet shume i afërt edhe me pushtetin ne Lipjan që udhëhiqet nga Imri Ahmeti.

Kompania e tij ‘Dino’ sh.p.k, kishte fituar 5 tenderë nga Komuna e Lipjanit në vlerë 2 milionë e 912 mijë 308 euro.

Tenderët e kompanisë ‘DINO’ të fituar nga Komuna e Lipjanit

Përdallim nga Salihu që ndodhet në arrati, ndaj tetë personave që u arrestuan për rastin “Brezovica 3”, Gjykata Themelore në Ferizaj, u caktoi të shtunën masën e paraburgimit prej 30 ditësh.

Lidhur me këtë rast, organet e rendit dhe drejtësisë kryen bastisje në katër qytete të ndryshme, përkatësisht: Ferizaj, Prishtinë, Skenderaj dhe Lipjan.

Gjatë kontrollit në objektet e kontrolluara janë gjetur dhe konfiskuar: Dokumente të ndryshme, disa fletore me shënime, tri armë, një karikator me 5 fishekë të kalibrit 7.65mm, tre fishekë të kalibrit 6.35mm, 20 fishekë të kalibrit 7.62mm, një kompjuter, një veturë X6, pesë telefona e një orë dore./GazetaInsajderi/