Armando Broja vijon periudhën e rikuperimit prej dëmtimit fatkeq që pësoi në gju në muajin dhjetor në një ndeshje miqësore me Aston Villan.
Katër muaj e gjysmë më pas, sulmuesi i kombëtares është pranë rikthimit ndërsa në një intervistë të gjatë për sajtin zyrtar të Chelseat tregon vështirësitë me të cilat u përballë gjatë kësaj periudhe të gjatë jashtë fushave, si dhe falenderon Ben Chilwell si një nga personat që i qëndroi pranë përgjatë gjithë fazës së rikuperimit.
“Momenti i dëmtimit ende vërtitet në mendjen time, ishte një tronditje për mua sepse gjatë gjithë karrierës kam qenë i shëndetshëm dhe nuk kisha pësuar më parë një dëmtim kaq të rëndë. Ishte gjithashtu një tronditje e madhe edhe për mamanë e babain tim, pasi ashtu si unë, nuk ishin mësuar të më shihnin aq keq.
Pas ndërhyrjes kirurgjikale qëndrova në shtrat për thuajse dy javë, ishte një nga momentet më të këqija në karrierën time. Ishte e tmerrshme, nuk mund të ngrihesha nga krevati.
Nëna ishte gjithë kohën në këmbë duke më shërbyer, një vuajtje e madhe për të gjithë. Ndihesha i padobishëm sepse nuk mund të bëja asgjë nga ato që dëshiroja.
Nuk flija dot as gjumë për shkak të dhimbjes, mendoja shpesh me veten se si mund ta kisha shmangur atë dëmtim, edhe pse e dija që mendimet e tepërta ndikonin vetëm për keq.
Duhej ta hidhja pas atë moment dhe të fokusohesha te rikuperimi. Mendoj se rikthimi do të jetë shumë herë më i mirë se e kaluara ime.
Një nga ata që më qëndroj më shumë pranë ishte Ben Chilwell. Kam folur shumë me të prej fillimit dhe deri tani që jam në fundin e rikuperimit.
Ai e ka kaluar njëherë këtë dëmtim dhe më kupton mirë. E di presionin dhe se si mund të ndikojë diçka e tillë nga ana psikologjike.
E falenderoj shumë sepse nuk e kishte për detyrë të më qëndronte pranë për të gjithë procesin.
E shoh tani Chilwell dhe ai është shumë mirë, vrapon. Madje, fluturon në fushë dhe kjo më bën të ndihem mirë. Edhe ai më thotë se do të rikthehem më i fortë.
Gjatë procesit të rikuperimit ndjen frikë dhe mua më dukej sikur kishte kaluar shumë kohë nga hera e fundit që kisha ecur me këmbët e mia.
Kisha frikë, por duhej t’ia dilja.
Tre javë më parë u riktheva në fushë dhe ishte një nga ditët më të lumtura. Sigurisht, ndonjëherë të duket sikur nuk po përmirësohesh dhe ndjehesh keq, por tani e kuptoj se ku isha dhe ku jam.
Tani godas topin, arrij të ndryshoj drejtim kur vrapoj. Vetëm se më duhet të gjej balancën për të mos e rënduar gjurin më tepër seç duhet. Do të duhet edhe pak kohë derisa të nis me sprintet dhe me kërcimet, por jam i lumtur me kaq sa kam arritur.
Ky dëmtim më ka shërbyer për ta njohur më shumë veten si nga ana fizike, por edhe nga ana psikologjike.
Kam qenë gjithnjë mirënjohës për faktin se isha një futbollist, por tashmë pas këtij dëmtimi jam edhe më shumë mirënjohës.
Asnjëherë nuk e dimë se përsa kohë do të jemi me fat pasi ajo që duam mund ta na ikë shumë shpejt prej duarsh.
Dëmtimi më bëri të kuptoj sa shumë e dua sportin dhe futbollin dhe tani dua të kthehem sa më shpejt të mundem dhe sa më i fortë.
I jam shumë mirënjohës edhe klubit për të gjithë mbështetjen gjatë kësaj kohe”, u shpreh Broja.