Përfaqësuesja e Burkina Fasos do të arrijë gjatë ditës së martë në Prishtinë nga Brukseli, vend ku është grumbulluar për ndeshjet miqësore të këtij muaji.
Megjithatë, kjo përfaqësuese do të jetë pa gjashtë futbollistë për miqësoren kundër Kosovës që do të luhet në stadiumin “Fadil Vokrri” të enjten, ka njoftuar Federata e Futbollit e Burkina Fasos.
Kapiteni Bertrand Traore, pastaj Issoufou Dayo, Stefane Aziz Ki, Ibrahim Blati Toure, Oula Abass Traore dhe Nouredine Balora nuk do të jetë në dispozicion të përzgjedhësit të përkohshëm Oscar Barro për ndeshjen në Prishtinë. Arsyeja që këta futbollistë nuk do të udhëtojnë në Prishtinë është se nuk janë pajisur me vizë ‘schengen’. Po ashtu, katër prej tyre: Aziz Ki, Dayo, Blati Toure dhe Abass Toure janë aktivizuar për ekipet e tyre afrikane në vikendin e shkuar dhe nuk kanë mundur të lirohen para të hënës.
Ndërkohë, Bertrand Traore që bën karrierë në Premier League, po ashtu ka luajtur vikendin e shkuar me ekipin e tij dhe nuk ishte në gjendje t’i bashkohet Burkina Fasos me kohë.