Themeluesi dhe drejtori ekzekutiv i Gjirafa, Mërgim Cahani, në një intervistë në emisionin “Përballje ditore” me gazetarin Muhamet Hajrullahu për Telegrafi.com ka folur për investimin e fundit për dixhitalizimin e Ballkanit, projektet e kësaj kompanie për vitin 2019, si dhe potencialin që ka vendi ynë në fushën e teknologjisë dhe inovacionit.
Cahani ka treguar se Gjirafa deri më tani ka pranuar investime deri në 10 milionë dollarë dhe sipas tij, investimi i parë ka ardhur si investim vetanak.
“Investimet e tjera kanë ardhur prej disa investitorëve që ne i quajmë investitorë engjëj, pastaj kanë ardhur disa investime nga Seria A të Rockaway Capital, ku ka qenë 2 milionë dollarë dhe është Seria B prej 6.7 milionë dollarë. Në total kemi marrë afër 10 milionë dollarë me synim që të ndryshojmë thellësisht ekonominë e internetit, që do të thotë shërbime për konsumatorin online për Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoni”, ka thënë Cahani.
Ai në intervistë ka treguar se kush janë investitorët në këtë fond prej 6.7 milionë dollarësh.
“Investimi i fundit prej 6.7 milionë dollarë ka ardhur prej dy entiteteve, ku udhëheqës i investimit ka qenë Rockaway Capital që janë me bazë në Pragë por edhe në të gjithë Evropën. Rockaway Capital në porotofolion e vet ka mbi 30 kompani që kanë gjeneruar rreth 2 miliardë euro në vitin e kaluar dhe i ka 5,200 punëtorë. Përveç Rockaway Capital, kemi edhe individë investitorë nga SHBA-ja, të cilët kanë kontribuar në pjesën e investimit që të arrihet pjesa e 6.7 milionë dollarëve. Ata si kundërvlerë kanë marrë përqindje në kompani të cilët tash punojmë që ta rrisim kompaninë dhe interesi i tyre është besimi në vizionin që ta ndërtojmë një pjesë të Evropës të cila është harruar prej gjigantëve”, ka deklaruar ai.
Drejtori ekzekutiv i Gjifara, Mërgim Cahani, ka shpjeguar se si do të investohen në tregun shqipfolës investimi i fundit prej Rockaway Capital dhe investitorëve tjerë.
“Investimi është në dy drejtime – e para, do të fokusohemi në tri grupe të produkteve, grupi një është e-commerce, jo vetëm GjirafaMall, Gjirafa50 (jo vetëm për teknologji por edhe për shërbime, duke filluar nga veshmbathjet, kozmetika, ushqimet, vegla pune dhe gjithçka në mes). Fokusi i dytë është në përmbajtje, apo në emisione argëtuese në GjirafaVideo. Ndërsa shërbimi i tretë janë ato që ne po dëshirojmë ta dixhitalizojmë vendin – këtu është Gjirafa.biz e cila aktualisht ka mbi 80 mijë pika të interesit. Drejtimi i dytë është zgjerimi i këtyre tri shtyllave në Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoni. Pra, vizioni ynë është ndërtimi i shërbimeve të internetit për shqiptarët në Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoni, si dhe ofrimi i shërbimeve në diasporë në kuadër të GjirafaVideo”, ka shpjeguar Cahani.
Ai në intervistë ka folur edhe për planet e kësaj kompanie gjatë vitit 2019, ku pritet të punësohen punëtorë të rinj, si dhe ka folur për potencialin që ka Kosova, rajoni dhe diaspora në inovacion dhe teknologji.