Insajderi
Lajme

Çeku i bindur në fitore: Nuk ka asnjë indikacion për rënie të mbështetjes ndaj LVV-së

Insajderi
07 June 2026 - 20:11
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
Çeku i bindur në fitore: Nuk ka asnjë indikacion për rënie të mbështetjes ndaj LVV-së
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Ministri në detyrë i Arsimit dhe Shkencës, Hajrulla Çeku, ka deklaruar se dita e zgjedhjeve ka kaluar në një atmosferë të qetë dhe demokratike, ndërsa ka theksuar se rezultatet duhet të priten nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ).

Pas përfundimit të procesit të votimit, Çeku tha se tashmë vullneti i qytetarëve ndodhet në kutitë e votimit dhe se në orët në vazhdim priten rezultatet zyrtare nga KQZ-ja.

“Vullneti i qytetarëve është brenda kutive të votimit dhe po besoj që në orët në vazhdim do t’i kemi rezultatet zyrtare nga KQZ-ja. Ka qenë një ditë e qetë, e mirë, një ditë për demokracinë, prandaj unë i përgëzoj gjithë qytetarët për maturinë që e kanë treguar. Tash duhet të presim që procesi i numërimit të përfundojë dhe t’i kemi rezultatet përfundimtare nga të gjithë”, tha ai.

I pyetur për exit poll-et, Çeku refuzoi t’i komentojë ato, duke kërkuar respekt për institucionet dhe personat e angazhuar në administrimin e procesit zgjedhor.

“Unë nuk dua t’i komentoj exit poll-et sepse e kemi KQZ-në, institucionin e shtetit që po e bën numërimin. Duhet të tregojmë respekt edhe ndaj atyre komisionerëve dhe vëzhguesve. Unë besoj që e drejta e votës është vullnet i lirë i secilit. Të gjithë duhet t’i bëjmë analizat dhe vlerësimet tona të nevojshme. Kjo është pyetje për gjithë spektrin politik të Kosovës, mirëpo sonte fillimisht duhet ta kremtojmë një ditë të qetë, një rikonfirmim të demokracisë në vendin tonë dhe ta presim rezultatin përfundimtar nga KQZ-ja, sepse atje po bëhet punë e madhe. Dhe ata njerëz meritojnë respektin e të gjithë neve. Unë ju uroj juve punë të mbarë dhe faleminderit shumë që jeni këtu”, u shpreh ai.

Duke folur për pritjet e Lëvizjes Vetëvendosje nga rezultati zgjedhor, Çeku tha se nuk sheh asnjë shenjë që do të tregonte rënie të mbështetjes për subjektin e tij politik.

“Nuk ka kurrfarë indikacioni për ulje. Unë besoj që rezultati do të jetë shumë i mirë për Lëvizjen Vetëvendosje. Por tashmë procesi ka përfunduar dhe po bëhet numërimi, prandaj ta presim rezultatin zyrtar nga KQZ-ja. Faleminderit shumë për të gjithë juve”, deklaroi Çeku.


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark