Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, ka folur rreth projektit për zgjerimin e kapaciteteve të stadiumit “Fadil Vokrri”.
Ai tha se tashmë e kanë një version të një propozimi për zgjerimin e stadiumit dhe se janë në diskutim me FFK-në tash e disa kohë për këtë, dhe siç tha ai në një moment do ta kenë edhe projektin përfundimtar.
Çeku tha se paratë për këtë projekt nuk do të jenë problem.
“Ju siguroj se buxheti s’do të jetë problem asnjëherë për infrastrukturën sportive dhe për këtë e kemi edhe zotimin e ministrit të Financave dhe të kryeministrit”, është shprehur Çeku.
Ai tha se buxhetin ekziston, por duhet të jenë të kujdesshëm që investimet në infrastrukturë të bëhen në mënyrë profesionale dhe duke i respektuar ligjet e procedurat.
“Mund të ju siguroj se një nga prioritetet tona më të rëndësishme është zgjerimi i kapaciteteve të “Fadil Vokrri” dhe besoj se gjatë këtij viti do t’i japim drejtim këtij projekti”, është shprehur Çeku.
Momentalisht, stadiumi “Fadil Vokrri” ka një kapacitet prej 13 mijë e 500 ulëseve, ndërsa synimi është që të zgjerohet edhe për 8 mijë ulëse.