Ekipi i juniorëve i xhudos i ka sjellë Kosovës një medalje të artë nga Kupa Evropiane e Juniorëve në Kaunas të Lituanisë.
Në kuadër të kategorisë deri në 73 kilogramë, Dardan Cena është stolisur me medalje të artë pas katër ndeshjeve të fituara.
Në raundin e parë Cena ishte i lirë, kurse në të dytin fitoi me Wazaari ndaj britanezit, Thomas Jackson. Në çerekfinale, Cena mposhti lituanezin Tadas Calka, kurse në gjysmëfinale mposhti britanezin tjetër, Eryk Neumann.
Cena e vazhdoi me fitore edhe në finale, duke triumfuar me Ippon kundër polakut Adam Kazimierczak, kështu duke u renditur i pari në këtë Evropian.
Në anën tjetër, Kosovën e përfaqësoi edhe Dëbora Gjakova në kategorinë deri në 63 kilogramë, ku pësoi humbje qysh në raundin e parë kundër Amelia Konfisz të Polonisë, e vazhdoi garën në repesazh.
Në ndeshjen e parë të repesazhit, Gjakova mposhti britanezen Millie Bayliss, kurse ndeshjen e dytë e fitoi kundër lituanezes Varvara Kuchar.
Për medaljen e bronztë, Gjakova humbi nga polakja Emilia Wolkowicz, kështu duke e mbyllur garën në këtë evropian në vendin e pestë. /KosovaPress/