Çështja “Skënderbeu” vazhdon të trajtohet në Zvicër. Këtu nuk flasim për dënimin 10-vjeçar që UEFA i dha klubit korçar për trukim të ndeshjeve europiane, por një tjetër histori. Lidhje kanë sigurisht, por nuk është e njëjta temë.
Një “sagë” gjyqesh është zhvilluar gjatë gjithë kësaj kohe në tokën zvicerane, pas një padie të ngritur nga pala shqiptare. Sipas “Panorama Sport”, një ish-trajner dhe një sponsor janë ndier të cenuar nga vendimi që u përpilua në 2018-ën prej organit të futbollit europian. Atyre u ishte përmendur emri në raport, ndaj vendosën që të ankoheshin për të vënë në vend imazhin.
PADIA DHE GJYQET KUNDËR UEFA-s
Sipas një artikulli të botuar jo më larg se një ditë më parë nga “Swissinfo.ch”, raportohet se dy zyrtarë të bardhekuqve kishin hapur gjyq ndaj UEFA-s për prishje të imazhit, pas procesit gjyqësor të mbyllur në 2018-ën, kur ata përfshiheshin si të dyshuar në fiksimin e ndeshjeve.
Nuk përmenden emra të personave në fjalë, por thuhet që bëhet fjalë për një ish-trajner dhe një sponsor.
Ata e kanë fituar gjyqin fillestar i cili u zhvillua në kantonin Vaud, por UEFA nuk e ka lënë me kaq. E ka vazhduar “betejën” dhe kanë dalë fitimtar në Apel.
Të njëjtën gjë kanë bërë edhe shqiptarët, duke u ankuar sërish, këtë herë në Gjykatën e Lartë. Por, edhe aty ka dalë triumfuese UEFA.
E gjithë kjo “luftë” është mbyllur pikërisht të premten, kur Gjykata e Lartë publikoi edhe detajet e vendimit përfundimtar mbi rastin e ngritur nga dy ankimuesit shqiptarë.
Gjyqtarët vendosën se raporti nuk i përmendte ata si kriminelë, por vetëm që kishin lidhje me rrjetin e basteve dhe zyrtarë të korruptuar.
Argumenti që gjyqtarët përdorën, ishte pikërisht ky: “Raporti ishte publikuar në mirëbesim dhe nuk kishte për qëllim dëmtimin e ankuesve”.
FUNDI I NJË “SAGE”
Deri diku kjo ngjan thjesht si procedurë, ndonëse historia do të merrte tjetër rrjedhë nëse do të kishte ndodhur e kundërta. Nëse dy zyrtarët në fjalë do të kishin fituar edhe në Apel apo në Gjykatën e Lartë, qoftë edhe për një çështje të kësaj, do t’i jepte “krahë” Skënderbeut që të kërkonte qoftë një dëmshpërblim nga UEFA.
Rezultati i gjyqit më të fundit në Zvicër sjell fundin e kësaj “sage” të stërgjatë zhvillimesh për Skënderbeun.
Tani klubit nuk i mbetet gjë tjetër veçse të mbyllë dënimin 10-vjeçar ose të shpresojë te ndonjë amnisti. Është përmendur disa herë ky variant, por deri më sot asgjë nuk ka ndodhur.
Klubi ka nisur që të shlyejë dënimin që i dha UEFA prej 2016-ës dhe aktualisht i ka shlyer 6 vite. Që të fitojë zyrtarisht të drejtën për të luajtur në arenën europiane, është vetëm 4 vite larg.