×
  • Lajme
  • Lajme / Kosovë

    Çetniku Mihailloviq me shtatore në Beograd, Kurti: Sinonimin e shumë vuajtjeve, Serbia e përjetësoi në bronz

    Insajderi
    18 October 2023 - 23:34
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Kryeministri, Albin Kurti, ka thënë se pas billbordeve që mbartnin mesazhin “Beogradi guxon”, dje në rrugën “Bregalnicka 24”, në kryeqytetin e Serbisë u përurua shtatorja e ish liderit të lëvizjes çetnike gjatë Luftës së Dytë Botërore, Dragolub (Drazha) Mihailloviq.

    Sipas Kurtit, përurimi u bë në oborrin e ish shtëpisë së familjes së tij, që pritet të kthehet në muze.

    “Sinonimin e vuajtjeve të shumta mbi kurrizin e shumë popujve dhe mbi gjakun e mijëra njerëzve Serbia e përjetësoi në bronz. Nisjatorë për ironi ishte një shoqatë që thirrej në aktivitete humane dhe ekologjike. Kundërshtimi që u bë nga organizata e aktivistë të ndryshëm, ishte i kotë”, ka shkruar Kurti në Facebook.

    “Rruga ku u bë përurimi quhej ‘Bregalnicka’, sipas betejës që Serbia ka zhvilluar gjatë Luftës së Dytë Ballkanike kundër Bullgarisë (1912-1913), në brigjet e lumit Bregallnica në Maqedoni të Veriut, përgjatë përpjekjeve të saj për zgjerim territorial. Pra, përjetësim i një lufte të zhvilluar në një vend tani anëtar i NATO-s (Maqedonia e Veriut), kundër një vendi që sot është anëtar i NATO-s e i BE-së (Bullgaria)”, ka thënë ai tutje.

    “Thuhet se muzetë i shërbejnë mbrojtjes së të kaluarës. Por një gjë është strehimi i së kaluarës, e tjetërgjë shfajësimi i së keqes. Aq më shumë kur përkujtimi i përmallshëm aludon te përsëritja e dëshiruar”, ka thënë më tej Kurti.

    Tutje, ai ka theksuar se Gjykata e Lartë në Beograd, më 14 maj 2015, e pat rehabilituar me aktgjykim prej 39 faqesh kriminelin e Luftës së Dytë Botërore, Dragolub Mihailloviq – Drazhën.

    “Viteve të fundit, kishim mohimin publik të masakrës së Reçakut nga Aleksandar Vulin më 10 dhjetor 2019 dhe nga Aleksandar Vuçiq më 5 dhjetor 2021. Serbia e sotme jeton në të shkuarën sepse konsideron që luftërat e saj nuk kanë përfunduar: as luftërat ballkanike nga fillimshekulli i kaluar, as ajo botërore në mes të shekullit XX dhe as kjo e viteve 1998-1999 në Kosovë. Sulmi terrorist në Banjskë të Zveçanit me 24 shtator sivjet është veçse edhe një betejë e atyre luftërave të papërfunduara nga pikëpamja e Beogradit zyrtar”, ka thënë në fund Kurti.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark