Janë bërë pothuajse dy dekada nga një ngjarje tragjike që tronditi Prishtinën, një shpërthim i fuqishëm pranë Qendrës së Studentëve që mori jetën e dy punëtorëve të kompanisë “Oti-Group” dhe la një tjetër të lënduar rëndë.
Ishte viti 2007, kur gjatë pastrimit të një rezervuari nafte, punëtorët Hajrullah Gashi dhe Rexhep Bytyqi, të punësuar nga “Oti-Group”, tentuan të zhbllokonin një gyp me një fleks sharre. Por shkëndijat u përzien me avujt e naftës, duke shkaktuar shpërthimin vdekjeprurës. Si pasojë, Hajrullah Gashi vdiq menjëherë, Rexhep Bytyqi pas dhjetë ditësh, ndërsa Ibrahim Namani, punëtor i Qendrës së Studentëve, mbeti me lëndime të rënda trupore.
Për këtë ngjarje, pronari i kompanisë Fehmi Bytyqi akuzohet se nuk kishte siguruar kushte të sigurta pune dhe po gjykohet për “shkaktim të rrezikut të përgjithshëm”, sipas nenit 365 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Në aktakuzë thuhet se i pandehuri, në cilësinë e punëdhënësit, kishte dështuar të ndërmarrë masat e nevojshme për mbrojtjen e jetës dhe sigurisë së punëtorëve gjatë pastrimit të rezervuarit të naftës në Qendrën e Studentëve.
Megjithatë, edhe pse kanë kaluar pothuajse 18 vjet, ky rast ende nuk ka marrë epilog. Në seancën e sotme gjyqësore, ishte planifikuar të dëgjohej dëshmitari Drilon Bytyqi, djali i të pandehurit, por ai nuk u paraqit në gjykatë, pasi ndodhet jashtë vendit dhe, sipas avokatit mbrojtës, kishte harruar datën e seancës. Për këtë arsye, gjyqtari Driton Berisha i shqiptoi një gjobë prej 250 euro, ndërsa seanca e radhës është caktuar për 20 nëntor.
Rasti përbën një nga proceset më të gjata të drejtësisë në vend, që prej vitesh endet nëpër salla gjyqi, ndërsa drejtësia për viktimat dhe familjet e tyre vazhdon të mbetet e paarritur.
Për më shumë detaje ndiqni videon në vazhdim: