West Ham nuk heq dorë dhe vazhdon të insistojë për shërbimet e Armando Brojës. Klubi londinez do të luajë sezonin e ardhshëm në Conference League.
David Moyes u ka kërkuar drejtuesve t’i sjellin në ekip sulmuesin 20-vjeçar, West Ham i ka paraqitur Chelsea dy oferta deri tani (35 dhe 38 milionë euro), por “Blutë e Londrës” nuk duan të privohen nga talenti shqiptar.
Mediet angleze raportojnë se te Chelsea pranojnë vetëm huazimin e Brojës, pasi besojnë shumë te kualiteti i tij dhe e cilësojnë një futbollist tepër të rëndësishëm për të ardhmen.
Propozimi është pranuar nga West Ham, që pritet ta marrë lojtarin nga Malësia e Madhe në huazim, për të parë më vonë gjatë sezonit të ri mundësinë e një blerjeje të përhershme.
Broja zhvilloi paraqitje pozitive në dy sezonet e fundit ku ishte i huazuar te Vitesse (Eredivisie) dhe Southampton (Premier League). Klube të ndryshme janë interesuar për të, por garën po e fiton West Ham.
“Çekiçët” po tentojnë edhe Gianluca Scamacca. Për kartonin e sulmuesit italian kanë ofruar 40 milionë euro te Sassuolo, por në garë për shërbimet e lojtarit shtatlartë mbetet edhe PSG.