Emërimi i Mario Dragi si kryeministër i Italisë me një mbështetje të gjerë të shumicës së partive parlamentare, është vlerësuar si një lajm i mirë për Italinë, por edhe për BE-në.
Por ai është gjithashtu një lajm i mirë edhe për presidentin francez Emanuel Makron. Pasi ky zhvillim i jep udhëheqësit francez një partner në Romë, që është një mbrojtës i fuqishëm dhe i besueshëm i integrimit më të ngushtë evropian, pikërisht në kohën kur Gjermania po përgatitet për një ndryshim në udhëheqje.
Kur Angela Merkel të largohet nga posti i kancelares së Gjermanisë, Dragi dhe Makron mund të bëhen “çifti”më i ri i pushtetit në Evropë. Një aleancë midis ekonomive të dyta dhe të treta më të mëdha të eurozonës, në favor të solidaritetit dhe stimulit më të madh financiar,mund të duket e natyrshme.
Por deri më tani kjo ka qenë e pamundur. Gjatë krizës së borxhit në eurozonë, Franca hezitoi të shkëputej nga Berlini dhe të rreshtohej me vendet e tjera mesdhetare, pasi në të kundërt do të zgjeronte përhapjen e rrezikut të bonove të thesarit francez dhe atyre gjermane.
Dy vjet më parë, marrëdhëniet midis Parisit dhe Romës ranë në pikën e tyre më të ulët që prej Luftës së Dytë Botërore, kur Luixhi Di Maio, atëherë zëvendëskryeministër i Italisë, shprehu mbështetjen e tij ndaj protestuesve francezë anti-qeveritarë, të njohur si Jelekverdhët. Presidenti francez pro-evropian, ishte shndërruar nënjë objektiv të lehtë për populistët euro-skeptikë të Italisë, që po kërkonin të zgjeronin mbështetjen e tyre të brendshme.
Në Itali, kishte ndërkohë shumë zemërim për mungesën e perceptuar të solidaritetit ngaFranca gjatë krizës së emigrantëve të viteve 2015-16, dhe pakënaqësi ndaj blerjes së disa kompanive të rëndësishme italiane nga rivalët francezë.
Pastaj, marrëdhëniet mes 2 vendeve u përmirësuan kur Roma mori një kthesë më pro-evropiane nën qeverinë e dytë të Xhuzepe Konte. Franca dhe Italia, ishin në mesin e 9nënshkruesve të një letre në marsin e vitit të kaluar, që bënte thirrje për një “instrument të përbashkët të borxhit, të emetuar nga një institucion evropian” për të ndihmuar vendet e goditura nga pandemia.
Ajo ishte bërthama e planit të fondit të rimëkëmbjes së BE-së, të hartuar nga Parisi dhe Berlini, dhe i miratuar nga të 27 vendet anëtare nën emrin“BE-ja e Brezit të Ardhshëm”. Hapi më i madh përpara në integrimin evropian që nga krijimi i euros, është gjithashtu arritja më e madhe evropiane e Emanuel Makron deri më tani.
“Me BE-në e Brezit të Ardhshëm, Makron ka treguar udhëheqje”- thotë Enriko Leta, ish-kryeministër i Italisë, aktualisht dekan i Shkollës së Parisit për Çështjet Ndërkombëtare në Universitetin Science Po. “Kjo gjë nuk ndodhi me Sarkozi 10 vjet më parë. Ai zgjodhi të qëndronte nën “ombrellën” gjermane, dhe të shmangte çdo rrezik. Ishte një qasje e mirë për Francën, por çmimi që duhej paguar ishte se Evropa nuk kishte ndonjë zgjidhje për krizën”- thekson ai.
Si përfituesja më e madh e fondit të rimëkëmbjes së BE-së, gjithçka varet nga aftësia e Italisë për ta shpenzuar me mençuri këtë ndihmë. Për Romën, ky është një shans i rrallë për të bërë investime produktive. “Dragi ndoshta e di më mirë se kushdo tjetër se çfarë duhet bërë për ta shfrytëzuar këtë mundësi që të vjen njëherë në jetë, për të adresuar dobësitë thelbësore që ka vendi”-vëren Silvia Merler, nga Forumi i Politikave Algebris.
Dështimi me këto fonde, do të krijonte dyshime serioze në lidhje me aftësinë e Italisë për të mbijetuar brenda monedhës së përbashkët. Ai do të diskreditonte idenë e bashkimit të sovranitetit brenda BE-së, në këmbim të një solidariteti më të madh. Konte nuk kishte mbështetjen e duhur politike për ta shpenzuar si duhet fondin e rimëkëmbjes.
Kjo është arsyeja kryesore pse qeveria e Dragi, është kaq e rëndësishme për ithtarët e një Evrope më të fortë, si Makron. Së dyti është shpresa se duke zbatuar politika monetare novatore si president i Bankës Qendrore Evropiane, Dragi mund të ndihmojë në rregullimin e politikës fiskale të eurozonës, me më shumë rregulla mbi deficitin, duke pasur një qasje me miqësore ndaj borxhit me synim nxitjen e rritjes ekonomike, dhe nevojës për një buxhet të përhershëm për të ndihmuar tronditjet e mundshme.
Gjermania dhe kryeqytetet e tjera të Evropës Veriore do të duhet të binden. Por nëse Dragi do të arrijë të bëjë si duhet disa nga detyrat e shtëpisë që u kërkohen vazhdimisht qeverive të tjera kombëtare, kjo vetëm sa do ta forcojë pozitën e tij brenda unionit.
“Dragi është më shumë pro integrimi të ngushtë evropian, duke kombinuar përgjegjësinë kombëtare me solidaritetin evropian”-thotë Marta Dasu, ish-zëvendës ministre e Jashtme e Italisë, dhe drejtuese e think-tankut Aspen Italia. “Ata janë si të dyja anët e së njëjtës medalje”- thekson ajo.
Shpenzimi i mirë i parave të BE-së, dhe reformat fiskale janë “shtyllat e një aleance të mirë”midis Parisit dhe Romës, thotë Leta. Por gjithsesi, Makron dhe Dragi nuk bien dakord mbi gjithçka. Si Dasu ashtu edhe Leta e konsiderojnë Dragi si një atlanticist për çështjet e sigurisë, dhe një skeptik, ashtu si Berlini, mbi idenë e Makron për një “autonomi strategjike” të Evropë.
Makron tha për “Financial Times” muajin e kaluar se ai ishte skeptik ndaj skemës ku “Parisi vallëzon me Berlinin, duke e bërë xheloze Romën, dhe kur Berlini nuk sillet shumë mirë, Parisi shkon dhe vallëzon me Romën”. Gjithsesi, ai ishte “shumë i lumtur mbi rikthimin e Dragi”, duke shtuar:“Unë besoj se ky është një shans për të gjithë ne”./FT – Bota.al