Përfaqësuesja e Shqipërisë po vijon me përgatitjet intensive për dy ndeshjet e fundit të Ligës së Kombeve, ndaj Izraelit dhe Islandës në kuadër të Ligës B.
Shqipëria të dielën e shkuar ka nisur grumbullimin për duelet e këtij muaji në Durrës, ndërsa përzgjedhësi Edoardo Reja prej të martës mbrëma e ka të kompletuar ekipin, pasi janë bashkuar të gjithë lojtarët e ftuar. Në konferencën për shtyp të mbajtur të mërkurën, sulmuesi Sokol Cikalleshi dhe mbrojtësi Frederic Veseli pranuan se dy përballjet janë shumë të rëndësishme për të siguruar pozitën e parë në grup dhe promovimin në Ligën A.
Shqipëria më 24 shtator luan në udhëtim tek Izraeli, ndërsa tri ditë më vonë e pret Islandën në stadiumin “Air Albania” në Tiranë. Është e treta në Grupin 2 dhe me fitore ndaj Izraelit e Islandës mund ta mbyllë edicionin e tretë të kësaj gare në pozitën e parë. Ka tubuar një pikë prej dy ndeshjeve të luajtura. Izraeli i prin grupit me pesë pikë, dy më shumë se Islanda që është e dyta, por që kanë nga një ndeshje më shumë të luajtur se Shqipëria. Duelin e parë ndaj Izraelit, Shqipëria e humbi 2:1 në shtëpi në muajin qershor. Cikalleshi ka thënë se Shqipëria po përgatitet maksimalisht për këtë sfidë dhe insistoi se Izraeli nuk është i pamposhtur në shtëpi. Ai insistoi se Shqipëria do të udhëtojë në Izrael për fitoren e parë në këtë edicion të Ligës së Kombeve.
“Shpresoj që të bëjmë ndeshjen që të gjithë kërkojmë dhe të arrijmë të marrim rezultatin që na dërgon në realizimin e objektivave që kemi. Problemi i ndeshjes së fundit është që kemi bërë gabime që mund të evitoheshin. Për këtë gjë po punojmë dhe besoj se do t’i përmirësojmë ato gabime. Kemi përballë një kundërshtar të vështirë, jemi në një grup më të vështirë se më parë. Duhet të bëjmë më të mirën në aspektin taktik, duke mos pësuar gol dhe pastaj me aftësitë që kemi të arrijmë të shënojmë dhe të marrim tri pikët”, ka thënë Cikalleshi. “Është një ndeshje e vështirë, po të shikojmë edhe ndeshjet e kaluara, kemi arritur të fitojmë edhe në Izrael. Edhe atëherë kundërshtari ka qenë i vështirë. Trajneri po i shikon të gjitha mundësitë. Ndoshta mund të ndryshojë edhe skemën për të qenë më ofensivë. Na hyn në punë vetëm trepikëshi. Do të ketë ndryshime, duke parë edhe lojtarët që na mungojnë. Jam i sigurt që trajneri do të bëjë më të mirën për këtë pjesë për të dalë në fushë me të gjitha mundësitë tona më të mira, si nga ana taktike dhe fizike e lojtarëve”.
Edhe Veseli tha se Shqipëria luan vetëm për fitore ndaj Izraelit, me gjithë mungesat që i ka në repartin e mbrojtjes. Marash Kumbulla e Berat Gjimshiti mungojnë shkaku i lëndimeve. Veseli theksoi se humbja ndaj Izraelit në shtëpi erdhi për shkak të gabimeve individuale, por shpreson që kjo të përmirësohet në ndeshjen e radhës në udhëtim.
“Janë mungesa shumë të rëndësishme, por edhe herëve tjera kemi pasur mungesa. Pavarësisht nga ky aspekt, ne nuk u japim shumë rëndësi lojtarëve individualë, por i japim rëndësi grupit. Jemi të përqendruar të bëjmë një ndeshje të mirë në nivelin defensiv, na vlen vetëm dhe fitorja”, është shprehur Veseli. “Edhe në shtëpi ndaj Izraelit kemi bërë një ndeshje të mirë në mbrojtje. Na kanë ndikuar shumë edhe gabimet individuale që mund të ndodhin. Izraeli nuk bëri ndonjë gjë spektakolare për të fituar. Humbja ka ardhur nga ne. Besoj se duhet që çdo lojtar të marrë përgjegjësi nga performanca individuale dhe të japë maksimumin në grup, për të bërë një ndeshje të mirë. Na mjafton të bëjmë një gol më shumë dhe ta fitojmë ndeshjen që është e rëndësishme”.