Arabia Saudite ka bërë nam në muajin dhjetor, kur ka shpallur formimin e një aleance “islamike” 34-anëtarëshe kundër terrorizmit.
Koalicioni kryesisht mysliman sunit, i cili përfshin edhe fuqinë rajonale, Turqinë, pastaj shtetin më të populluar të rajonit, Egjiptin, dhe Pakistanin e pasur me armë bërthamore, duket i frikshëm.
Por, atij i mungojnë fuqitë myslimane, si Indonezia dhe Irani, dhe mbeten po ashtu pyetje në lidhje me përbërjen dhe motivet e tij.
Përjashtimi i Iranit dhe Irakut, të dominuar me shittë, si dhe i aleatit të tyre, Sirisë, ka nxitur dyshimet se Riadi nuk është i motivuar nga dëshira për të luftuar terrorizmin.
“Sauditët janë të motivuar nga siguria e tyre e brendshme, rrokja për pushtetin dhe rivaliteti sektar dhe gjeopolitik me Iranin”, thotë Hayder al-Khoei, anëtar i institutit të politikave të pavarura Chatham House, me seli në Londër.
Këtu mund ta shihni listën e vendeve që janë përfshirë në koalicion [me të kuqe] dhe ato që janë ftuar për t’iu bashkuar koalicionit [me të verdhë].
Tensionet midis Arabisë Saudite dhe Iranit janë përshkallëzuar muajve të fundit, sidomos në janar, kur protestuesit iranianë kanë sulmuar ambasadën saudite në Teheran dhe i kanë vënë zjarrin asaj.
Kjo, pasi autoritetet saudite kanë ekzekutaur një klerik të shquar shiit. Riadi dhe Teherani mbështesin palë të kundërta në luftërat e vazhdueshme në Siri dhe Jemen.
Al-Khoei thotë se është e paqartë se si koalicioni apo “Aleanca Ushtarake Islamike” do të luftojë ekstremistët e Shtetit Islamik në Irak dhe Siri pa marrëveshje me këto qeveri.
Afganistani dhe Indonezia janë ftuar që t’i bashkohen aleancës, por nuk kanë pranuar ende.
Dhjetë vende të tjera janë ftuar po ashtu, por deri më tash vetëm se kanë zvarritur këmbët.
Ideja se Arabia Saudite, një vend që akuzohet gjerësisht për eksportim të radikalizmit islamik në botë, mund të udhëheqë luftën kundër ekstremizmit, është shumë ironike, thonë disa analistë.
“Për të luftuar vërtet terrorizmin, sauditët duhet t’i shpallin luftë vetes së tyre dhe t’i japin fund mbështetjes për grupet radikale në botë”, thotë al-Khoei nga Chatham House.
Micah Zenko, studiues në Këshillin për Marrëdhënie me Jashtë, me seli në Uashington, thotë se një koalicion i udhëhequr nga Arabia Saudite është si “një kartelë e drogës në krye të fushatës kundër narkotikëve”.
Riadi është kritikuar ndërkombëtarisht për shkak të fushatës së tij ajrore kundër rebelëve Huthi në Jemen, të cilët gëzojnë mbështetjen e Iranit. Kjo fushatë është parë si luftë sektare me Teheranin.
Arabia Saudite është kritikuar edhe për dështimin e saj në ndjekjen e klerikëve sauditë që kanë përhapur Vahabizmin radikal. Disa kritikë, madje, pretendojnë se Riadi mbështet grupin ekstremist Shteti Islamik.
Dhe, derisa disa vende të mëdha myslimane janë jashtë Aleancës Islamike, disa anëtare të saj nuk kanë shumicë myslimane.
Për shembull, rreth 80 përqind e Gabonit, shtet në Afrikën perëndimore, është e krishterë. Në Benin, feja më e madhe është katolicizmi romak, ndërsa shumica e njerëzve në Togo mbajnë besime indigjene. Të gjitha këto vende, megjithatë, kanë pakica të konsiderueshme myslimane.
Kur Riadi ka shpallur aleancën ushtarake më 15 dhjetor, disa prej vendeve të listuara ose të ftuara janë dukur të befasuara.
Ministria e Jashtme e Indonezisë ka thënë se është ftuar për t’iu bashkuar një “qendre të koordinimit kundër ekstremizmit dhe terrorizmit” dhe jo një aleance ushtarake.
Ministria e Jashtme e Libanit ka mohuar se ka pasur njohuri për krijimin e një koalicionit islamik kundër terrorizmit nga Arabia Saudite.
Sekretari i Jashtëm i Pakistanit, Aizaz Chaudhry, është cituar të ketë thënë se ai është befasuar kur ka lexuar për përfshijen e Islamabadit.
Më vonë, Pakistani, i cili ka lidhje të forta historike me Riadin, ka shpehur mbështetje për koalicionin, edhe pse jo entuziazëm shumë të dukshëm./rel