![](https://a3748898.delivery.rocketcdn.me/wp-content/themes/insajderi-org/logo/menu-insajderi.png)
Më 4 prill 2021, Vjosa Osmani, ishte zgjedhur presidente e Republikës së Kosovës. Ish kandidates për kryeministre nga radhët e LDK-së, kuorumin për tu zgjedhur e para e shtetit ia mundësoi ish-partia e saj, që ishte në opozitë.
Raportet e saj me kryeministrin, Albin Kurti dukeshin të mira.
Për herë të parë, raportet e tyre të acaruara u shfaqën gjatë takimit të Këshillit për Demokraci dhe të Drejta të Njeriut, në të cilin ndonëse nuk dëgjohej, shihej qartë se Kurti po i fliste Osmanit me shumë nervozizëm.
Kryeministri kohë pas kohë është qortuar nga ndërkombëtarët për veprime të njëanshme në veri të vendit. Në lidhje me këtë, Osmani në çdo paraqitje të saj deklaronte se krerët e shtetit duhet të koordinohen me shtetet mike të Kosovës sidomos me SHBA-at, e sidomos atëherë kur në pyetje ishte veriu.
Edhe kjo çështje konsiderohej se çdo ditë e më shumë po bëhej shkak për prishjen e marrëdhënieve mes tyre.
Në maj të këtij viti, qeveria dërgoi në Këshillin e Evropës një letër, ku njoftoi për qëllimet e saj për ta hartuar dhe dërguar në Kushtetuese një draft-statut për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
Për këtë, presidentja publikisht I kishte dalë kundër qeverisë dhe ministres së punëve të jashtme Donika Gërvalla, e cila kishte thënë se edhe Osmani I përkrah ato që janë shkruar në atë letër.
“Presidentja Osmani përkrah vetëm qëndrime dhe veprime paraprakisht të konsultuara, të koordinuara dhe të dakorduara me institucionin e Presidencës… Kjo letër nuk është e tillë”, thuhej në reagimin e Presidencës. Pra, ajo kishte lënë të nënkuptohej se ishte tradhtuar nga bashkëpunëtoret e saj.
Edhe në fjalimin vjetor të presidentes për këtë vit, qeveria u kritikua.
Osmani në prani të qytetarëve të Kosovës, nga Kuvendi deklaroi që “aleanca e Kosovës me vendet e tjera është më e madhe dhe më e rëndësishme se cilido prej nesh si politikan. Aleancat janë këtu për të na mbrojtur, prandaj vënia në rrezik e tyre, luajtja bixhoz me to, apo cenimi i tyre, e cenon vetë mbrojtjen e republikës sonë”.
Kjo deklaratë e saj, u pa si vulosje e raporteve të acaruara mes Osmanit e Kuriti.
Ndërkaq, ish-anëtari i Listës Guxo, Balton Dërguti, ka thënë se pas votimit të Buxhetit të Kosovës për vitin 2025 mund të priten zhvillime të reja politike, duke përfshirë lëvizje të grupit të presidentes Vjosa Osmani drejt LDK-së.
Ai gjithashtu theksoi se ndarja mes presidentes Osmani dhe Lëvizjes Vetëvendosje është e pashmangshme në zgjedhjet e ardhshme, pasi raportet mes dy palëve nuk janë më të njëjta.