×
  • Lajme
  • Insajderi / Insajderi

    Çka e kërcënon sigurinë publike dhe kombëtare të Kosovës?

    Insajderi
    01 March 2023 - 20:21
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Qytetarët e Kosovës vlerësojnë se rreziku kryesor për sigurinë kombëtare në vend vjen nga rritja e çmimeve të mallrave, ndjekur pas nga trafikimi i drogës, kriza energjetike dhe kriza ekonomike, tregojnë të dhënat e një raporti të Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS).

    Ngjashëm, edhe në Shqipëri dhe Serbi, rritja e çmimeve të mallrave dhe kriza ekonomike shihen si rreziqe kryesore.

    Dea Fetiu, nga QKSS-ja, thotë se shqetësimi për rritjen e çmimeve është kaq i theksuar, për shkak të rreziqeve që mund të pasojnë.

    “Kjo mund të çojë në një krizë ekonomike dhe në një varfëri edhe më të madhe, e cila, pastaj, bashkë me papunësinë dhe disa rreziqe të tjera, bëhet shumë e rrezikshme për sigurinë kombëtare”, thotë Fetiu për Radion Evropa e Lirë.

    Kosova e ka përmbyllur vitin 2022 me normë mesatare të inflacionit mbi 12 për qind.

    Çka e rrezikon sigurinë kombëtare në Kosovë, Serbi dhe Shqipëri?

    Sipas anketave me qytetarë, të bëra nga disa organizata joqeveritare, rritja e çmimeve të mallrave dhe kriza ekonomike janë rreziqet kryesore për sigurinë e tyre kombëtare.

    Sipas raportit të QKSS-së, rrezikshmëria më e ulët për sigurinë kombëtare në Kosovë vlerësohet të vijë nga pandemia COVID-19, nga ekstremizmi dhe terrorizmi i dhunshëm, si dhe nga ngrohja globale dhe ndotja e ambientit.

    Për këtë anketë, QKSS-ja ka grumbulluar të dhëna nga 25 shtatori deri më 2 tetor të vitit 2022, kur janë intervistuar 1.136 familje.

    Këto të dhëna fillimisht janë publikuar në Barometrin e Sigurisë së Ballkanit Perëndimor, ku QKSS-ja bashkëpunon me Qendrën për Studimin e Demokracisë dhe Qeverisjes në Shqipëri dhe Qendrën e Beogradit për Politikat e Sigurisë në Serbi.

    Sipas anketës, qytetarët në Kosovë dhe Shqipëri vlerësojnë se siguria personale dhe ajo e komunitetit rrezikohen më së shumti nga migrimi i të rinjve dhe profesionistëve, ndërsa në Serbi nga përdorimi i drogës dhe varësia prej saj.

    Çka e rrezikon sigurinë publike në Kosovë, Serbi dhe Shqipëri?

    Nga anketat e bëra me qytetarë në Kosovë dhe Shqipëri, migrimi i të rinjve dhe profesionistëve shihet si rreziku kryesor për sigurinë publike, ndërsa në Serbi, si rrezik i tillë përmendet përdorimi i drogës dhe varësia prej saj./REL

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark