×
  • Lajme
  • Lajme / Kosovë

    Çka po ndodh në ATK? 154 zyrtarë të këtij institucioni ankohen në Këshillin e Pavarur

    Insajderi
    10 February 2023 - 14:48
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Ristrukturimi i brendshëm i Administratës Tatimore të Kosovës ka sjell pakënaqësi të mëdha të punonjësit e këtij institucioni. Ndryshimet brenda këtij institucioni që janë ndikuar nga ky proces kanë bërë që pothuajse të gjithë punëtorët e ATK-së të ankohen në Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës.

    KPMSHKCK-ja ka bërë me dije për Nacionale se javën e kaluar kanë pranuar 154 ankesa nga punëtoret e ATK-së.

    Ju njoftojmë se Këshilli ka pranuar 154 ankesa të parashtruara nga të punësuarit në Administratën Tatimore të Kosovës“, është thënë në përgjigjen e Këshillit.

    Në përgjigjen e këshilli është treguar edhe natyrën e ankesave të zyrtarëve të ATK-së.

    Ankesat e parashtruara janë të natyrës ‘kërkesë nga marrëdhënia e punës’ dhe ‘transfer’ që ndërlidhen me veprimet procedurale të organit të punësimit për shkak të ristrukturimit të institucionit/ATK-së, si pasojë e ndryshmeve të akteve të tyre të brendshme të organizmit“, ka treguar këshilli.

    Gazeta ka kërkuar sqarime për këtë situatë edhe nga Administratë Tatimore e Kosovës, por ky institucion ka heshtur. Ka disa ditë që gazeta ka dërgua pyetje në adresë të ARK-së në lidhje me këtë çështje dhe deri me tani nuk ka marrë asnjë përgjigje.

    Gazeta ka kontaktuar edhe zyrtarët e ATK-së. Njëri prej tyre, në kushte anonimiteti ia ka treguar gazetës arsyet e ankesës.

    Sipas tij, procesi i ristrukturimit në ATK ka shkaktuar shumë padrejtësie.

    Për shkak të këtyre ndryshimeve të brendshme neve na është ndryshuar vendi i punës. Në këtë proces nuk janë marrë parasysh kërkesat tona. Prandaj, kemi vendosur të ankohemi në Këshill dhe jam i bindur se do të aprovohet ankesa e jonë“, ka thënë ky zyrtar.

    Numri i madh i ankesave vështirëson punën e Këshillit

    Numri i madh i ankesave të zyrtarëve të ATK-së do të vështirëson punën e KPMSHCK-së. Ky këshill edhe ashtu në Qeverinë Kurti po ballafaqohet me numër të madh të ankesave të zyrtarëve që punojnë në shërbimin civil të vendit.

    Vetëm vitin e kaluar Këshilli kishte pranuar 1175 ankesa ku të përfshirë kanë qenë gjithsejtë 2043 nëpunës civil/kandidat për pranim në Shërbimin Civil të Kosovës.

    Këshilli, në periudhën 01.01.2022 – 28.12.2022 ka pranuar/regjistruar gjithsejtë 1175 ankesa ku të përfshirë kanë qenë gjithsejtë 2043 nëpunës civil/kandidat për pranim në Shërbimin Civil të Kosovës. Prej tyre 1125 ankesa janë parashtruar individualisht nga nëpunësit civil apo kandidatet për pranim në Shërbimin Civil, ndërsa 50 ankesa janë parashtruar nga grup ankuesish ku të përfshirë kanë qenë gjithsejtë 918 nëpunës civil”, është thënë në raportin vjetor të ankesave të Këshillit.

    Këshilli, përveç ankesave të pranuara brenda vitit 2022, ka pasur për shqyrtim edhe 317 ankesa të bartura nga viti 2021, dhe 197 ankesa të viteve paraprake për të cilat Këshilli është detyruar për vendosje nga Gjykata Themelore në Prishtinë/Departamenti për Çështje Administrative.

    Bazuar si me sipër, rrjedh se në vitin 2022, Këshilli ka pasur për shqyrtim gjithsejtë 1689 ankesa, ku prej tyre 1330 apo 78.75% të ankesave janë shqyrtuar dhe palët janë njoftuar lidhur me vendimmarrje, ndërsa 359 apo 21.25% të ankesave janë në proces të shqyrtimit brenda afateve ligjore prej 45 ditësh siç përcaktohet me dispozitat e nenit 17 të Ligjit Nr.06/L-048 për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës”, është thënë në raport.

    Presioni politik ndaj Këshillit

    Përveç kërkesave të mëdha, Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës po përballet edhe me presion të vazhdueshëm politik nga pushteti.

    Këtë javë, deputetët e VV-së nuk ia kanë miratuar këtij këshill raportim vjetor për vitin 2021.

    Deputeti i VV-së, Fitim Haziri, ka thënë se raporti nuk i ka informatat e duhura.

    Gjithashtu grupi parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje nuk do ta miratojë këtë raport, arsyeja e mosmiratimit të këtij raport i ka të bëjë me mosparaqitjen e informatave të duhura dhe përmbajtjesore në lidhje me atë se çfarë është paraqitur në këtë raport. Raporti është gjithsej 47 faqe ku 26 faqe prej tyre janë të mbushura me tabela sa që ta marrë mendja që je duke lexuar një raport statistikor e jo raport pune të njërit ndër këshillat më të rëndësishëm të shërbimit civil”, ka thënë ai.

    Gjithashtu, Qeveria ka dërguar në Kuvend edhe projektligjin për ndryshimin e ligjit për KPMShCK-në, i cili synon kufizimin e kompetencave të këtij institucioni kushtetues.

    Në seancën e të mërkurës, tri herë ishte tentuar të votohet ky projektligj, por Kuvendi nuk kishte kuorum për një gjë të tillë.

    Kjo përpjekje e Qeverisë është parë si hakmarrje ndaj KPMShCK-së, i cili deri me tani ka anuluar disa vendime të rëndësishme të Qeverisë.

    Disa përfaqësues të shoqërisë civile këtë projektligj e kanë cilësuar si anti-kushtetuese.

    Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës është institucion përgjegjës që siguron zbatimin e rregullave dhe parimeve që rregullojnë shërbimin civil.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark