Kuvendi i Demokratëve u mbyll mbrëmjen e së premtes në Filadelfia të Pensilvanisë, me fjalimin e kandidates për Presidente Hillary Clinton, pika kulmore e një jave që pati momente befasuese dhe dramatike dhe që tregoi se ndasitë e krijuara nga fushata ende nuk janë zhdukur në Partinë Demokratike.
Clinton pranoi të enjten emërimin si kandidate për presidente e Shteteve të Bashkuara, duke hyrë në histori si e para grua që merr emërimin nga një forcë kryesore politike në Shtetet e Bashkuara.
“Amerika është në një moment rivlerësimi. Forca të fuqishme po kërcënojnë të na përçajnë. Lidhjet e besimit dhe të respektit po dobësohen. Dhe ashtu si në kohën e atyre që e themeluan vendin, nuk ka garanci. Gjithçka varet nga ne. Duhet të vendosim nëse do të punojmë së bashku, që të ngrihemi së bashku”, tha ajo në fjalimin e saj.
“Ne e kemi të qartë se me çfarë përballet vendi ynë, por ne nuk kemi frikë. Ne do të ngrihemi në lartësinë e sfidës, ashtu siç kemi bërë gjithmonë”, tha ajo.
Clinton që foli në fund të katër ditëve të Kuvendit Demokrat, që përfshiu fjalime nga Presidenti Barack Obama, nënpresidenti Joe Biden dhe kandidati për nënpresident Tim Kaine, e vuri theksin tek përpjekjet që ajo do të ndërmarrë për të përmirësuar jetën e amerikanëve.
“Misioni im kryesor si Presidente do të jetë të krijoj më shumë shanse dhe vende të mira pune me rroga në rritje këtu në Shtetet e Bashkuara. Që nga dita ime e parë në detyrë tek e fundit. Veçanërisht për zona që për një kohë të gjatë janë lënë pas dore. Që nga zonat e varfra të qytetit në qytetet e vogla”, tha ajo.
Ish-Sekretarja dhe përkrahësit e saj e kanë theksuar vazhdimisht aftësinë dhe përvojën e saj në sfida të sigurisë kombëtare. Vetë ish-Zonja e Parë ia kushtoi një pjesë të mirë fjalimit pikërisht kësaj fushe.
“Ne përballemi me një zgjedhje po aq të vështirë përsa i takon sigurisë kombëtare. Gjithkush që sheh lajmet nuk mund të mos shohë kërcënimet dhe turbullirat me të cilat përballemi. Nga Bagdadi në Kabul, në Nice dhe Paris dhe Bruksel, nga San Bernardino në Orlando, ne përballemi me armiq të betuar që duhet të munden. Prandaj nuk ka dyshim që njerëzit janë në ankth dhe në kërkim të një udhëheqjeje të qëndrueshme”, vijoi ajo.
Kuvendi kishte si synim të unifikonte demokratët dhe kjo ishte tema e shumë prej atyre që morën fjalën në Kuvend, përfshirë vetë zotin Sanders. Dhe për kandidaten Clinton kjo ishte edhe një nga pikat kryesore.
“Çdo brez amerikanësh është bashkuar për bërë vendin tonë më të lirë, më të drejtë dhe më të fuqishëm. Askush nuk mund ta bëjë këtë vetëm. Prandaj jemi më të fortë së bashku”, deklaroi Clinton.
Nata e sotme kishte në qendër çështjet që shqetësojnë gratë, sidomos në drejtim të barazisë dhe pagës në vendin e punës.
Ishte vajza e zonjës Clinton dhe ish-Presidentit Bill Clinton, Chelsea që e prezantoi nënën e saj. Një ndryshim i madh nga viti 2008 kur mamaja e saj kandidoi për herë të parë dhe vetë Chelsea ishte shumë e ndrojtur.
Por në këtë fushatë ajo është angazhuar më shumë dhe sot ajo u përball me sfidën më të madhe, ta paraqiste nënën e saj në dritën më të mirë para publikut amerikan.
Clinton me fjalimin e saj u përpoq të mbyllte deficitin e besimit, si fillimin e njërës prej sfidave më të mëdha për të, që populli amerikan ta shohë si të besueshme.
Fjalimi i ish-Sekretares përbëri pikën kulmore të një Kuvendi që filloi nën hijen e bërjes publike të emaileve mes zyrtarëve të Partisë Demokrate, që tregonte se ata kishin favorizuar pikërisht atë në fushatën brenda partisë ndaj ish-rivalit të saj Bernie Sanders.
Gjatë kuvendit, synimi i demokratëve ishte që të bënin kontrastin mes republikanit Donald Trump dhe Hillary Clinton, duke i rënë faktit që ai nuk është i zoti të drejtojë një vend.
Në një farë mënyre Trump i ndihmoi, sidomos me deklaratat e tij për politikën e jashtme dhe me sugjerimin që Rusia të depërtojë në emailet e ish-Zonjës së Parë.
Toni i Kuvendit të Demokratyëve, si edhe atij republikan më parë sinjalizojnë se do të ketë një fushatë intensive dhe të ashpër për zgjedhjet e nëntorit. /TCh