Ballkani mposhti Ferizajn (3-0 )në udhëtim, në ndeshjen e fundit të xhiros së tetë në Albi Mall Superligën e Kosovës.
Trajneri i suharekasve, Ilir Daja, theksoi se për ekipin e tij primare është kampionati, por do të japin maksimumin edhe në ndeshjet e grupeve.
“Jam i kënaqur me fitoren, pasi kishim përballë një ekip simpati që na vështirësoi punët. Falënderoj sportdashësit në Ferizaj që ishin shumë miqësore me ne, ku disa edhe na duartrokitën. Kemi bërë që në të gjitha fushat të pritemi mirë”.
“Kemi marrë katër fitore dhe një humbje që erdhi për shkak të lodhjes që kemi pasur. Më gëzon kthimi i kapitenit që është i rëndësishëm për ne, Zyba po ashtu, ndërsa Bekteshi po afrohet lojës tonë”.
“Pavarësisht se do ta kemi të vështirë, pasi po përballemi me orar të ngjeshur, do të mundohemi të përdorim grupin e lojtarëve. Primare kemi kampionatin, por kur kemi ndeshje të grupeve do të japim maksimumin. Për neve primare është kampionati, pasi nga kampionati jemi ku jemi”, ka thënë Daja.
Sa i përket dueleve në grupet e Ligës së Konferencës, Daja u shpreh se do të mundohen ta bëjnë maksimumin që ta përfaqësojnë jo vetëm Ballkanin, por edhe ligën e Kosovës në garat evropiane.
“Ekipet tona në grup janë më të mira se ne dhe do të mundohemi të paraqitemi edhe në ndeshjen e ardhshme ashtu siç u paraqitëm në Pragë dhe në ndeshjen e parë. Do të mundohemi ta bëjmë maksimumin që ta përfaqësojmë jo vetëm Ballkanin, por edhe ligën e Kosovës në garat evropiane. Është lodhje, por njëkohësisht edhe kënaqësi”, ka theksuar Daja.