Zhvillimi i “Copa America 2021” në Kolumbi është gjithmonë e më shumë në rrezik. Dhjetëra persona janë grumbulluar para zyrave të federatës në Bogota për të kërkuar anulimin e turneut.
Nga 28 prilli, në Kolumbi kanë shpërthyer protestat kundër Qeverisë dhe përplasjet me forcat e rendit kanë shkaktuar të paktën 42 të vdekur, mes të cilëve një polic, dhe mbi 1600 të plagosur.
Një klimë e tillë tensioni e bën të pamundur zhvillimin e turneut në siguri. Argjentina, vendi tjetër organizator, është e gatshme ta zhvillojë e vetme turneun.
Këtë e ka pohuar presidenti i republikës Alberto Fernadnez: “Me kusht që të gjithë të respektojnë protokollin shëndetësor”.
Të enjten është parashikuar një mbledhje e CONMEBOL në Asuncion, ku do të merret një vendim në lidhje me këtë. Kujtojmë se Copa America do të zhvillohet nga 13 qershori deri më 10 korrik.